Doreshkrimi misterioz qe ka lene pa fjale studiuesit. Kush e shkroi dhe si u gjet Kodi qe ka hutuar shkencetaret

Simon Worrall, BBC

Është një manuskript në këtë botë, i çuditshëm, deri më sot i padeshifrueshëm dhe shumë i vjetër. Ai ka hutuar edhe kriptologët më të mëdhenj të botës për gati një shekull. A është me të vërtetë ai një kod që duhet të thyhet, apo një tallje e fuqishme? 

Unë kam ardhur në Bibliotekën e Librave dhe Manuskripteve të Rralla në Universitetin e Jellit, për të zgjidhur një mister që e bën Kodin Da Vinçi të duket një shaka, një libër që askush nuk mund ta lexojë, në një gjuhë që nuk ekziston, ilustruar me bimë dhe krijesa që nuk janë parë kurrë në tokë. 

Është i njohur si Manuskripti i Vojnihut, sipas emrit të një tregtari të librave të vjetër, Vilfrid Vojnih (Wilfrid Voynich), i cili pretendoi se e ka zbuluar këtë libër në Itali, në vitin 1912. Që nga ajo kohë, libri ka obsesionuar një numër të pafund ekspertësh dhe ka gjeneruar teori të panumërta, qoftë shkencore, qoftë halucinante.

“Teoria ime e parapëlqyer është ajo që thotë se kemi të bëjmë me një ditar të ilustruar të një jashtëtokësori në moshë adoleshente, i cili e la atë pas në Tokë”, – bën shaka mbarështuesi i koleksionit, Rej Klemens (Ray Clemens). 

Ajo që më habit mua më shumë është se sa i vogël është ai. Pata pritur një manuskript të ngjashëm me një album. Por libri që po shoh në një stendë leximi para meje është me përmasat e një libri xhepi. 

I lidhur me një kapak të butë në ngjyrën e një fildishi të vjetër, ai përmban 240 faqe të ilustruara në mënyrë të bollshme. Ilustrimet duken si diçka që dikush mund t’i shohë vetëm pasi është i droguar me LSD. Bimë të çuditshme, simbole astrologjike, krijesa të ngjashme me kandilat e detit dhe diçka që ngjan si një karavidhe. Në një ilustrim, një grup zonjash të zhveshura me lëkurë alabastre që po bëjnë banjë poshtë asaj që duket sikur është një rrëke uji që rrjedh nga sipër librit. Teksti, i shkruar me bojë ngjyrë kafe si hekur i ndryshkur, ngjan me përrallat e Tolkien.

Disa fakte, Vijnih ishte një polak etnik nga Lituania, në atë që ishte dikur Perandoria e Rusisë. I lindur më 1865, ai u burgos përkohësisht në Siberi për aktivitete revolucionare, para se të largohej përmes Mançurisë deri sa mbërriti në Londër. 

Në Londër, ai hapi një librari librash të përdorur, e cila u bë qendër për azilantët politikë. Mes tyre ishte Karl Marksi dhe një emigrant rus, Sidnej Reilli. (Sidney Reilly). 

Vojnih pretendoi se e hasi manuskriptin në një seminar jezuit jashtë Romës, Vila Madragone. Bashkë me manuskriptin ishte një letër që supozohet se është shkruar më 1665 nga Johhan Markus Marçi (Johannes Marcus Marci), një mjek pranë Perandorit të Shenjtë Romak. 

Letra thoshte sa manuskripti i përkiste Rudolfit ? dhe ndoshta ishte vepër e alkimistit të mbretëreshës Elizabet Roxher Bejkon (Roger Bacon). Kemi edhe dy njerëz të tjerë që dyshohen si autorë të mundshëm: Xhon Di (John Dee), kryemagjistar dhe astrolog i Mbretëreshës Elizabeth e Parë dhe një shoku i tij alkimist, Eduard Kellej (Edward Kelley). Vetë Vojnih iu referua librit si “Manuskripti Çifer i Roxher Bejkon”. 

Që nga ajo kohë, libri ka qenë objekti që ka sfiduar të gjitha mendjet e mëdha. Amerikani Uilliam Fridman (William Friedman), një nga kriptografët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, i cili krijoi një institucion që së fundmi u bë i famshëm nga Eduard Snouden (Edward Snowden), pra themeluesi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA, kaloi 30 vjet duke u përpjekur të thyejë kodin e manuskriptit. Teoritë mbi kodin lulëzojnë vazhdimisht. Një botanist amerikan në pension, së fundmi pretendoi se disa nga bimët e paraqitura aty janë me origjinë latino-amerikane. Një gjuhëtar britanik pretendon se ka përkthyer dhjetë fjalë. 

Po çfarë mund të jetë? Një kod për një thesar të fshehur? Manuali i punës i një helmuesi? Apo receta në kod për rininë e përjetshme? 

Ka disa që besojnë se manuskripti është një mashtrim nga vetë Ullfrid Vojnih. Një nga shumë mashtrimet në historinë e falsifikimeve është ajo e një tregtari librash të rrallë që “zbulon” manuskripte të panjohura më parë. Vojnih është i njohur si njeriu që ka pasur këtë prirje “magjike”. Ai thuhet se ka blerë gjithashtu një sasi të madhe materialesh dhe ka përdorur njohuritë e tij mbi kiminë të fituara në Universitetin e Moskës për të kopjuar bojërat dhe pigmentet e mesjetës. Për më tepër dihet se shoku i tij, Sidnej Reilli, ka pasur disa vazhdime mbi bojërat e lashta. 

Unë vetë besoj se pasi e ka falsifikuar manuskriptin, Vojnih bëri atë që shumë falsifikatorë kanë bërë ? krijuan një dokument të dytë për të vërtetuar të parin dhe për t?i dhënë besueshmëri. Por deri sa të bëhen testet shkencore mbi bojën dhe pigmentet, misteri mbetet i pazgjidhur. Kapaku është testuar tashmë me metodën e karbonit dhe ka rezultuar se i përket shekullit të pesëmbëdhjetë. 

Në letrën që Marçi shkroi dhe që Vojnih pretendoi se e gjeti brenda manuskriptit, thuhet: “Për ta deshifruar, ai punoi pa u lodhur. Siç është e dukshme nga ajo që po të dërgoj unë ty, ai hoqi shpresë [për zbulim] vetëm pasi humbi jetën e vet”.