Oficerja përjashtohet nga detyra, ndëryri në sistem për të nxjerrë një automjet nga statusi “alert”

Pak orë më parë, AMP njoftoi se ka ndaluar një oficere policie me detyrë Trup Shërbimi në Seksionin e Sigurisë në Komisariatin e Policisë Rinas.

Efektivja, Sulltane Kuka 29-vjeçare akuzohet për për “Shpërdorim Detyre”,  “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

29-vjeçarja u ndalua pas marrjes në dijeni të një parregullsie në procedurën e mbylljes së praktikës për heqjen nga statusi ‘Alert’ të mjetit në pronësi të shtetasit, Leonark Karruka.

Së fundmi Policia e Shtetit njofton se efektivja është përjashtuar menjëherë nga radhët e policisë.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për përjashtimin e menjëherëshëm nga Policia e Shtetit, të punonjëses së Policisë së Shtetit, inspektore S. K., 29 vjeçe, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.

Përjashtimi i kësaj punonjëseje u bë për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, neni 208, pika 3 “Përdor pozitën si punonjës policie për përfitime personale”, pasi datë 25.09.2023, gjatë inspektimit të bërë nga grupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore në OASH-në, në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, u konstatua se një automjet i shpallur “Alert”, ishte hequr nga sistemi në mënyrë të kundërligjshme. Po nga verifikimet e kryera nga gupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore dyshohet se automjeti është hequr nga “Alert, nga punonjësja e Policisë S. K.

Për këtë rast, AMP ka bërë ndalimin e kësaj punonjëseje policie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj cilido punonjës police që abuzon me detyrën dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.