Një ditë pasi disa punonjëse u paraqitën në spitalin e Fierit me simtoma helmimi, mbeten mister shkaqet dhe i pazbardhur emri i fabrikës ku ndodhi ngjarja. Vetë të lënduarat nuk pranuan të flasin me mediat, madje për te shmangur gazetarët ato u larguan fshehtas nga spitali ku morën ndihmë mjekësore për disa orë. Nga ana tjetër policia e Fierit doli me një njoftim për shtyp, ku thuhej se punonjëset u helmuan nga parfumi i njërës prej tyre. Ndërkohë efektivë policie qëndruan në hyrje të spitalit të Fierit duke mos lejuar gazetarët te kontaktojnë me të lënduarat dhe autoritetet e spitalit.
Fier / Informacion paraprak
Rreth orës 10:00, në Spitalin Rajonal Fier, kanë shkuar me shenja helmimi dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, 9 shtetase, të cilat punojnë në një fabrikë përpunim ullinjsh, në aksin rrugor “Fier – Vlorë”.
Nga verifikimet paraprake, dyshohet se helmimi i tyre ka ardhur si pasojë e një reaksioni të shkaktuar nga produkti aromatizues (parfum) i përdorur nga njëra prej këtyre shtetasve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
