Nene Liza ne krye te protestes para SPAK

Nënë Liza, një personazh i njohur dhe zë i fortë i protestave në kryeqytet, banore që para 2 vitesh iu shemb banesa në kuadër të planit për rindërtimin në 5 Maj, është bërë pjesë e protestës së sotme para SPAK.

Ajo fajësoi për situatën ku ndodhen sot shqiptarët, kryeministrin Edi Rama dhe Erion Veliajn

“Të vijë Veliaj te 5 Maj, të shoh se si është rruga, po kalojmë nëpër baltë. Dua shtëpinë, jam 80 vjeçe. Nuk kam ku mbledh fëmijët e mi jam 14 vetë. Veliaj dhe Rama të bëjnë vitin e ri. Deputetët marrin nga 5 milionë, unë 100 mijë lekë. SPAK të nisë nga kryet. Pa firmën e Ramës dhe Veliajt, nuk bëhej kjo gjë. Për popullin nuk flet kush. Bëhen 2 vite që në janar, që jam jashtë shtëpie. I bëj thirrje Amerikës shteteve të huaja që të na përkrahin. Kur vinë të huajt shtrojnë tapetin e kuq, por për shqiptarët kanë shtruar tapetin e zi.”, tha nënë Liza.

Protestuesit do të kërkojnë drejtësi për Teatrin Kombëtar që u shemb në mënyrë kriminale

Partia Demokratike ka nisur para Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Protesta u thirr një ditë më parë nga deputeti Belind Këlliçi dhe para godinës së SPAK janë vendosur disa tabela.

“Thirrje për protestë! Thuajse 3 vjet nga shembja kriminale e Teatrit Kombëtar dhe SPAK hesht. Heshtja është bashkëfajësi. Qytetarët kërkojnë drejtësi! Nesër në ora 10:00, përpara godinës së SPAK-ut,”- njoftoi dje PD-ja.