Shpërthimi i depozitës se oksigjenit në Lushnje, dy viktima, mes të plagosurve deputeti Bujar Çela

Një shpërthim i fuqishëm tronditi Lushnjen pasditen e së premtes duke lënë të vdekur babë e bir dhe plagosur tetë të tjerë. Mes të plagosurve rëndë është edhe deputeti i Lushnjes Bujar Çela i cili ndodhej në vendngjarje si pronar i magazinave ku ndodhi incidenti. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur ish-fabrika e plasmasit kur një vinç po zhvendoste një depozite oksigjeni në një kantier ndërtimi të disa magazinave. Burimet nga vendi i ngjarjes i thane newsgate.al se shpërthimi ndodhi kur vinçi ngriti në ajër depoziten e oksigjenit. Kalimtarët e rastësishëm thanë se ishte një shpërthim i fuqishëm i cili përhapi panik në te gjithë banorët e qytetit. Policia konfirmoi se behej fjalë për një vinç i cili gjatë proçesit të punës ka rënë në kontakt me shtyllën e tensionit të lartë duke shkaktuar një shpërthim. Tre prej të plagosurve në gjëndje të rëndë shëndetësore u dërguan ne spitalin e Traumës në kryeqytet pasi morën ndihmën e parë mjekësore. Gjatë rrugës për në kryeqytet ka humbur jetën edhe i biri i manovratorit të vinçit duke e rënduar më tej bilancin e ngjarjes. Prokuroria e Fierit po heton për shkaqet e ngjarjes duke marrë në pyetje të plagosurit më lehtë që ndodhen në spitalin e Lushnjes. Mes të plagosurve në spitalin e Lushnjes është edhe një 17 vjeçar i cili po merret në pyetje në prani të psikologut.