Avokatët Adriatik Lapaj dhe Kujtim Cakrani janë përfshirë në një debat lidhur me Amnistinë Penale dhe me ata të cilët duhet të përfitojnë nga ulja e dënimit. Sipas Cakranit mund të amnistohen edhe krime të rënda, si vrasja, nëse personi është rehabilituar totalisht.
Ndërkohë që nga ana tjetër, Lapaj kundërshtoi kategorikisht uljen e dënimit për krimet e rënda, pasi mund të nxisë hakmarrjen dhe problematika në familjen ku është kryer dëmi.
Sipas tij, amnistia penale është për krime të lehta dhe kategorikisht jo për vrasjet apo përdhunimet e fëmijëve.
Cakrani: Tani duhet të kuptojmë që njëri që është dënuar 25-vite qoftë edhe për vrasje, por qoftë edhe për diçka tjetër, nëse ka vuajtur 22 vite, çfarë problemi ka që t’i ulet dënimi dhe të përfitojë, pasi ai mund të jetë rehabilituar.
Lapaj: Një njeriu që i kanë vrarë dikë, duhet të ketë kaluar aq kohë sa fëmijët të jenë rritur, të jenë martuar, të jetë ftohur gjëja, pasi po doli në rrugë e vrasin rrugës.
Bën diferencë ajo 2 vite, ik thuaji atij që i kanë vrarë dikë në shtëpi që s’bën diferencë. S’ka parime me vrasjen, parime ka me gjobat, për ata që kapen me 2 cigare hashash, me atë që ka vjedhur ndonjë telefon, apo që kanë vjedhur energjinë elektrike dhe nuk është amnistia për këta që vrasin.