Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, analizoi dorëzimin e 23-vjeçarit Azgan Mërnica në polici, vrasësit të efektivit të Shqiponjave, Novruz Cenalia.
Eksperti tha se nga pamjet e dorëzimit, shihet qartë që 23-vjeçari është i veshur mirë dhe në gjendje të mirë fizike, ndryshe nga çduhet të ishte një person që kishte dy netë në kërkim policor.
Sipas tij 23-vjeçari mund të jetë strehuar nga familjarët, të cilët i kanë bërë dhe videon në momentin kur po nisej drejt komisariatit të Fierit ku do të dorëzohej.
Eksperti ka thënë se familjarët mund të jenë trembur nga eliminimi fizik i 23-vjeçarit kur kanë parë snajperat e RENEA-s në zonë.
“Fakti që në momentin e dorëzimit nga pamjet e dhëna nga mediat, tregonte një person i cili nuk të jepte përshtypjen se në 48-orët e fundit ishte në arrati. Pamja fizike tregonte që nuk ka qenë në arrati, por i akomoduar në një banesë në gjendje komode. Ai ishte i qeshur i veshur mirë, i trajtuar mirë dhe nuk ndjehej rraskapitja e një personi që ka kaluar dy netë në arrati, apo nën presion të strukturës policore. Mendoj se familjarët apo të afërm të tij mund ta kenë mbajtur 23-vjeçarin. Mendoni një njeri që ka ndenjur që ka ndenjur pa gjumë dhe në stres. Ai ishte i qeshur, ishte mirë dhe po ikte sikur po hipte në taksi për të shkuar diku sikur po e prisnin për një vizitë dhe jo sikur po shkonte të arrestohej”, tha ai në “Goodmorning Albanians”.