Pas mbledhjes së sotme të zhvilluar me dyer të mbyllura nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, është vendosur bojkotimi i të gjitha proceseve gjyqësore për tre ditët e ardhshme, duke nisur nga dita e nesërme.
Vendimi është marrë në asamblenë e Dhomave të Avokatisë, pas sulmit brutal ndaj profesorit dhe avokatit, Sokol Mëngjesi.
Gjatë ditëve të bojkotit, avokatët do të ndjekin vetëm masat e sigurisë, ndërsa nuk do të zhvillohet asnjë proces gjyqësor.
Avokati Sokol Mëngjesi është dërguar për trajtim të specializuar në Greqi, nga familjarët e tij.
Përpara nisjes së mbledhjes kryetari i Dhomës Kombëtare, Maksim Haxhia, i cili tha se dhuna ndaj avokatëve është e patolerueshme, ndërsa kërkoi nga politika të mënjanojë sulmet ndaj avokatëve, të cilët kanë dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi në punën e tyre.
Në fillim të fjalës së tij, Haxhia i uroi shërim të shpejtë të avokatit Mëngjesi, ndërsa falënderoi Policinë e Shtetit dhe median për angazhimin.
“Falenderojmë Policinë e Shtetit për gatishmërinë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe ndalimin e autorëve, të cilët do dalin para drejtësisë ku duhet të marrin dënimin e merituar. Falënderojmë dhe mjekët për angazhimin profesional për të mbajtur nën kontroll kolegun tonë. Falënderojmë edhe median për punën e zhvilluar dhe që ka qenë krah nesh”, tha Haxhia.
Më tej, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatëve evidentoi problematikat e sektorit.
“Ne kemi mbledhur dhe kemi përcjellë me shqetësim të gjitha denigrimet që i janë bërë dhomës së Avokatisë, avokatëve dhe profesionit tonë. Një qëndrim i tillë është mbajtur dhe me avokatët në Durrës, të cilët i kanë pozicionuar në ambiente të papërshtatshme dhe jo profesionale njerëzore për të ushtruar profesionin e tyre. Përgëzoj Dhomën e Durrësit për vendimmarrjen dhe qëndrimin në unison të të gjithë anëtarëve. Megjithatë ne patëm një së bashku me organet drejtuese patëm një takim dhe kryetarin e dhomës së avokatëve të Durrësit dhe kryetaren e Gjykatës së Durrësit, i cili për hir të së vërtetës pranoi që situata nuk ishte fare e përshtatshme me urdhrin që na kishte dhënë. Na u tha, se do ta revokonte urdhrin dhe e falënderojmë që e ka revokuar”, vijoi Haxhia.
Haxhia u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi.
“Ajo nuk është ajo që kemi dashur dhe prisnim të shikonim, që donim ta konceptonim drejtësinë e paanshme, të varur e të frikësuar dhe jo diskriminuese veçanërisht për avokatët. Kjo bëri që sot të jemi në këtë situatë.
I bëjë thirrje publikut, që të tregojë shkallë të lartë civilizimi, të vlerësojë profesionin e avokatit. Avokati është niveli më i lartë intelektual i drejtësisë, që ndihmon në realizimin e drejtësisë dhe mos u nisni nga interesat e ngushta të humbjes së një gjyqi. Nesër mund të keni nevojë sërish për një avokat për një gjyq tjetër. Po ashtu u bëj thirrje politikës, ekzekutivit, të heqin dorë nga tipizimi i avokatëve si shkaktarë të situatave, si avokatë të kriminelëve, përkundrazi, të gjesh elementë mbrojtës dhe tek ai që gabon tregon nivel të lartë dhe civilizim të shoqërisë dhe shtetit”, theksoi Maks Haxhia.
Avokati Sokol Mëngjesi u dhuna më 29 maj nga tre persona në zonën e Ish-bllokut, pak momente pasi kishte lënë djalin në kopsht. Dhunuesit u larguan me një mjet që i priste aty pranë. Policia zbardhi ngjarjen, duke arrestuar organizatorin dhe një prej dhunuesve, teksa u shpallën në kërkim tre personat e tjerë. Policia ofron 20 000 euro për këdo që jep informacion për kapjen e autorëve.