Arrestohet 43-vjeçari, që dyshohet se vrau dhe zhduku trupin e recepsionistit të një hoteli në Dhërmi.
Bëhet fjalë për Gerald Shehun, 43-vjeç, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje në një nga dhomat e hotelit Eraldo Nevruzin dhe më pas largoi trupin.
Më pas, ai u arratis drejt Greqisë përmes pikës kufitare. Policia menjëherë njoftoi autoritetet greke, të cilat kanë arritur ta ndalojnë 43-vjeçarin në një aeroport, i cili po tentonte të largohej nga shteti helen.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një hotel në Dhërmi pak pas mesnate, ku dyshohet se Gerald Shehu vrau me armë zjarri Nevruzin. Ndërkohë, policia po vijon kërkimet për gjetjen e trupit të recepsionistit.
Shehu dhe Nevruzi ishin miq me njëri-tjetrin, ndërsa janë bashkëpronarë të hotelit. Nga dëshmitë, janë dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri ku po ashtu janë gjetur edhe gjurmë gjaku. Mësohet se vrasja e 31-vjeçarit ka ndodhur në një nga dhomat e hotelit.
Dy pistat hetimor ku po heton policia janë: një konflikt banal i çastit dhe tjetra për njohje të mëparëshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku i zhdukuri dhe autori jetonin.
Pamjet filmike nuk tregojnë qartë si është larguar 31-vjecari nga vendi i ngjarjes. Lidhur me këtë ngjarje, në polici janë shoqëruar 29 persona dhe po merren në pyetje.
“Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas. Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor”, njoftoi fillimisht policia.