Një eurodeputet i zgjedhur nga burgu. Rasti i Fredi Belerit, të cilin mbi 237 mijë grekë e votuan për të qenë anëtar i Parlamentit Evropian, është shumë i rrallë në histori. I dënuar për blerje votash në Shqipëri bëhet anëtar i ligjvënësve të Bashkimit Evropian.
Beleri u rendi i katërti mes të votuarve si kandidat në zgjedhjet helene dhe bëhet një prej 21 eurodeputetëve grekë në PE dhe një prej 7 të zgjedhurve nga sigla e Nea Demokracia te Mitsotakis. Që prej hapjes së kutive të parë mes mbështetësve të tij në Himarë nisi festa.
Beleri nga burgu i Fierit ku ndodhet që prej 12 majit 2023 për blerje votash, e quajti fitoren e tij një triumf të dritës ndaj errësirës.
“Forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve”, shkroi mes të tjerash ai.
Zgjedhja e Belerit eurodeputet është një kazus që pritet të shkaktojë edhe më shumë debate në vend. Juridikisht zgjedhja e tij nuk ndikon në procesin penal që i bëhet në Shqipëri. Imunitetin eurodeputetët e kanë vetëm në shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian dhe jo në Shqipëri. Burime të Report Tv nga grupi hetimor në SPAK thanë se zgjedhja e tij nuk ndikon dhe se procesi vijon, ndërsa vendimet e gjykatave shqiptare janë sovrane.
Një zgjidhje të shpejtë do t’i jepte procesit një vendim sa më parë i GJKKO-së së Apelit n. Kujtojmë se Beleri është dënuar me 2 vite burg nga shkalla e parë. 13 muajt e tij të burgimit deri më tani llogariten si 20 muaj, duke qenë se janë paraburgim. Nga ana tjetër një vendim pafajësie, edhe pse duket e vështirë, nga Apeli do ta vinte Belerin para zgjedhjes, mes Himarës apo postit si eurodeputet.
Por një vendim i shpejtë i Gjykatës së Apelit duket se nuk po i interesin Fredi Belerit, Seancat e fundit kanë dështuar pasi avokatët e tij nuk janë paraqitur. Eurodeputetit të ri mbase do t’i interesonte të bëhet një çështje debati në parlamentin e ri evropian. Seanca e radhës kur tashmë eurodeputeti grek Fredi Beleri del para gjykatës është të premten e 14 qershorit dhe do të pritet se cila do të jetë strategjia e tij.