“Mbledhjet dolen ne gazeta”, prokurori italian kritika kolegeve shqiptare

Nicola Gratteri, prokurori italian ishte këtë të enjte i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ku tha se mafia shqiptare është mafia e dytë më e fuqishme në botë pas asaj italiane sa i takon tregut të drogës.

I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhiu se si e vlerëson punën e kolegëve të tij shqiptarë, Gratteri tha se nuk ka pasur një eksperiencë të mirë, kur një vit më parë ka bërë një hetim të rëndësishëm me autoritetet shqiptarë.

Ai tha se pala shqiptare e dekonspiroi mbledhjen e përbashkët, ku të gjitha diskutimet e bëra u pasqyruan dhe në gazeta në Shqipëri.

“Një vit më parë kreva një hetim të rëndësishëm me autoritetet shqiptare. Nuk ishte aspak e mirë, pasi shumë gjëra përfunduan nëpër gazeta. Si për shembull edhe një mbledhje që duhej të mbahej e rezervuar, por që nuk u mbajt kurrë e tillë”,-tha prokurori.

Gratteri tha gjithashtu se korrupsioni dhe lidhjet mes personave të shtetit dhe atyre të krimit ekzistojnë në të gjithë botën.

Korrupsioni mes njerëzve të pabesë të shtetit ekziston në të gjithë botën e nuk mund të flitet në përqindje. Problemi ekziston edhe në Itali. Natyrisht kjo është një dukuri shqetësuese, sepse një zyrtar i korruptuar në një proces gjyqësor, mund të cenojë punën e 100 personave”,-tha Gratteri.