OLAF mbylli hetimin, Fondet e BE per bujqesine u vodhen, dosja ne SPAK

Zyra Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), në raportin vjetor për vitin 2023 ka bërë publik hetimin që zbuloi sistemin kapilar të korrupsionit me paratë e fermerëve, që çuan në ndërprerjen e fondeve të BE-së për Shqipërinë.

OLAF hetoi akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së (IPARD II), nga Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë në Shqipëri, (AZHBR)

Në raportin vjetor OLAF zbulon se gjatë hetimit u vu re se fermerët ishin të detyruar të ndanin një përqindje të madhe të grantit të tyre me kompaninë e konsulecës, e cila do të bënte ndërmjetësin me AZHBR. Gjithashtu në dokument thuhet se u gjetën dhe disa parregullsi të tjera gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve

IPARD II u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE .

Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë konsulente të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.

Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve”, thuhet në raportin për vitin 2023.

Duke u futur më në thellësi, OLAF zbulon dhe skemën sesi AZHBR-ja, e drejtuar në periudhën korrik 2017–shtator 2021 nga Frida Krifca zhvaste fondet e BE-së të destinuara për fermerët. Hetimi i BE-së është fokusuar në periudhën që ajo e drejtonte AZHBR-në, që përkon me fazën e dytë të programit, në vitet 2014-2020.

Në raport thuhej se kontratat jepeshin pa konkurrencë, me fitues të përcaktuar, fiktivë dhe në shumë raste me çmime të fryra.

“Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale”, thuhej më tej në raportin e hetimit.

OLAF shton se pas gjetjes së këtyre problematikave dhe skemave korruptive, urdhëroi ndalimin e financimit për Shqipërinë deri në zbardhjen e plotë të rastit dhe korrigjimit të këtyre problemeve.

Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë euro, si të papërshtatshme.

OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm”, thuhet në raport.

OLAF gjithashtu ka konfirmuar në raportin e tij, se hetimi i bërë prej tyre lidhur me skandalin e fondeve të (IPARD II) është dorëzuar në SPAK.

Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë”, përfundon raporti!

Kujtojmë se në vitin 2018 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri, u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.

Ndërsa më 19 korrik zyra e BE-së në Tiranë konfirmoi për herë të parë dyshimet për korrupsion me fondet e saj për bujqësinë shqiptare. OLAF i dorëzoi Komisionit Evropian disa gjetje, të cilat e kanë detyruar Komisionin që të ndërpresë përkohësisht lëvrimin e granteve