Policia e Shtetit u bën apel biznesmenëve dhe sipërmarrësve të mëdhenj që të tregohen të kujdesshëm nga persona që i telefonojnë apo u dërgojnë mesazhe telefonike në emër të zyrtarëve të lartë të shtetit, për t’ju marrë sasi të mëdha parash.
Janë disa episode që janë bërë publike, ku oligarkë të mëdhenj në vend janë shantazhuar duke përdorur emrin e kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministrit Rama apo dhe ministrit Balla, për t’ju vjedhur pasuri.
Shtetasi Florian Gjergji është shpallur në kërkim nga Policia shqiptare dhe akuzohet se është “koka” e një grupi që u ka marrë miliona lekë oligarkëve në Shqipëri, duke u dërguar sms sikur të ishte Erion Veliaj, Edi Rama apo dhe ministri Balla.
Mesa duket, këto raste kanë vazhduar të shtohen kohët e fundit dhe Policia e Shtetit apelon të gjithë biznesmenët që të tregohen vigjilentë dhe të kujdesshëm përballë kësaj skeme mashtrimi, si dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo dyshim.