Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” ka shkaktuar furtunë në Radio Televizionin e Kosovës. Shkrimi akuzon portalet “Nacionale” dhe “Periskopi” se financohen nga Serbia. Artikulli u përkthye dhe botua nga RTK, duke sjellë më pas reagime dhe përplasje të forta në Kosovë. Sot dhanë dorëheqjen kreu i bordit të RTK dhe një anëtare.
Teksti, që ka për autor ekipin hulumtues të “Slobodna Bosna”, u publikua më 22 korrik dhe, duke u bazuar në burime, tregon se si minierat e litiumit në Serbi “janë shkaktar i mundshëm i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, por edhe në Bosnje e Hercegovinë”.
Në një pjesë të tekstit, duke cituar burime të paidentifikuara, “Slobodna Bosna” shkroi se pushteti i Vuçiçit po zgjerohet kur bëhet fjalë për “heshtjen” e mediave të papërshtatshme në rajon dhe se tashmë ka ardhur koha që e njëjta gjë të bëhet edhe ndaj mediave në Kosovë.
“Në rend të parë është portali ‘Periskopi’, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiç, dhe kohët e fundit është bërë një transaksion miliona dollarësh te [portali] ‘Nacionale’, i cili është vënë në dispozicion të pushtetit të Vuçiçit me tekste kritike për Qeverinë e Albin Kurtit, duke shkaktuar zemërim te shqiptarët e Kosovës”, shkroi ndër të tjera “Slobodna Bosna”.
Që litiumi serb është një shkak i mundshëm i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, dhe rrjedhimisht edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e kanë konfirmuar bashkëbiseduesit tanë, por edhe burime afër regjimit të Vuçiçit. Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritetin strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, ose shkurt ‘Memorandumi për litiumin’, duhet të shihet nga dy aspekte, ekonomike dhe politike.
Nëse marrëveshja e fundit do të ishte nënshkruar nga përfaqësuesit e Serbisë, politika e të cilës është plotësisht në harmoni me politikën e BE-së, nëse Serbia do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë, nëse Serbia do të kishte respektuar çdo marrëveshje që ka nënshkruar me Kosovën, do të kishte njohur pavarësinë dhe do të ishte një partner i fortë i Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në OKB dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, nëse Serbia dhe Kosova do të shkonin së bashku drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, nëse Serbia si një partner i rëndësishëm i BeH-së do të mbronte interesat e saj dhe jo të mbështeste shkëputjen e Republikës Serbe, nëse Serbia do të ishte një partner i fortë i Malit të Zi dhe jo një faktor përçarës i brendshëm që me ndihmën e klanit kriminal të Shkaljarëve mbështet zgjerimin e madh serb me qëllim të shkaktimit të trazirave në Malin e Zi, nëse Serbia nuk do të mbështeste një Kishë Ortodokse Serbe paramilitare dhe nëse Aleksandar Vuçiç nuk do të kishte qenë nënshkrues i memorandumit për litiumin, nuk do të kishte asgjë të diskutueshme dhe unë do të kisha mbështetur fuqishëm nënshkrimin e atij dokumenti dhe nismën ekonomike.
Është krejtësisht logjike dhe në përputhje me interesat ekonomike të çdo vendi në botë, përfshirë edhe Serbinë, që të kryejë kërkime minerare dhe shfrytëzim të mineraleve në përputhje me kushtet më të sigurta dhe më moderne ekologjike. Megjithatë, që nga fillimi i ardhjes së kompanisë Rio Tinto në Serbi, që nga viti 2001, ka nisur korrupsioni më i madh sistematik i regjistruar deri më tani në botë, thekson për “Slobodna Bosna” disidenti politik serb Boban Bogdanoviç.
Bogdanoviç, i cili për pak shpëtoi nga likuidimi i shërbimeve të regjimit dhe më pas mori azil në një nga vendet evropiane, nga një vend sekret për “Slobodna Bosna” foli për qëllimet e Vuçiçit dhe regjimit të tij, si dhe për atë që fshihet pas nënshkrimit të marrëveshjes me Scholz-in.
“Rio Tinto priti me durim ardhjen në pushtet të Aleksandar Vuçiçit në mënyrë që përveç të drejtës hetimore, të siguronte edhe të drejtën e shfrytëzimit për gërmimin e litiumit, pa e kryer kurrë më parë këtë veprimtari. Pak kush e di këtë që do të them tani, mbështetjen kyçe në realizimin e korrupsionit sistematik të kryesuar nga Aleksandar Vuçiç, në vitin 2017 e dhanë: Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Siç dihet, pjesën më të madhe në Rio Tinto e kanë kinezët me një pjesë të kapitalit rus”, tha ai.
Ai ka folur edhe për atë që po bën opozita në Serbi. “Fragmentet e opozitës po udhëhiqen nga ide dhe slogane populiste dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë të angazhohet që nëse do të ndodhë gërmimi i litiumit, do të japin dorëheqje dhe do të tërhiqen nga jeta publike. Sa i përket opozitës që identifikohen si euroatlantistë, kemi vetëm disa politikanë që janë shumë të rezervuar ndaj gjithçkaje, gjë që është shumë mirë. Ata konsiderojnë, ashtu si edhe unë, që litiumi është një mundësi zhvillimi për Serbinë, por që nuk duhet të bazohet në atë që bazohet tani”, tha Bogdanoviç.
Sipas tij shkaku për nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit ishte pikërisht garancia që iu dha Vuçiqit.
“Trump i premtoi Vuçiçit ndarjen e Kosovës dhe mos ndërhyrjen e Amerikës në çështjet e brendshme të Serbisë, si dhe mbështetjen e plotë për Milorad Dodik dhe për të rrëzuar Milo Gjukanoviçin në vitin 2020 në Malin e Zi. Në këmbim, Vuçiç u zotua që Rio Tinto do të merrte të drejtën e shfrytëzimit të litiumit dhe që dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, do t’i mundësohej ndërtimi i hoteleve në vendin e shtabit të përgjithshëm të ish-ushtrisë jugosllave. Gjithashtu, Vuçiç u zotua që do të lejonte miliarderin Elon Musk të hapte fabrikat e tij në Serbi për prodhimin e baterive të litiumit. Për të sjellë fakte, e provon vetë Milorad Dodik, i cili nuk mundi të përmbahej deri në fund të gjithë lojës pa deklaruar dëshirën e tij për një takim me Elon Musk, pasi të gjithë janë pothuajse të sigurt për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë. Ashtu si miliona qytetarë të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe unë mes të gjithëve, e urrej Aleksandar Vuçiçin dhe veprimtarinë e tij politike që nga viti 1993 e deri më sot, e cila ka marrë dhjetëra mijëra jetë në të gjithë ish-Jugosllavinë. Të gjithë e dimë mirë se kush është Aleksandar Vuçiq dhe në vend që si patriot serb dhe euroatlantist të mbështes nënshkrimin e memorandumit për litiumin, për shkak të paqes në rajon, nuk mund ta bëj këtë pikërisht për të gjitha pikat e përmendura në fillim të intervistës sonë. Ata që besojnë ende në Vuçiqin, dhe nuk janë pjesë e trupit të tij politik, shpresojnë se ky memorandum do ta mbrojë Serbinë nga një katastrofë ekologjike dhe se pikërisht ky memorandum është një garanci që Rio Tinto nuk mund të marrë të drejtën e shfrytëzimit, sepse ligjet e rrepta të BE-së e mbrojnë këtë. Madje edhe unë isha i prirur që fillimisht të besoja në partneritetin e sinqertë të BE-së dhe në një përfundim të tillë, por duke njohur Vuçiqin dhe të gjitha dobësitë e kancelarit Scholz, jam i sigurt se nga kjo nuk do të dalë asgjë”, tha Bogdanoviç.
Pas ‘aksioneve’ në Malin e Zi, radha ka ardhur për sulmin mediatik në Kosovë. Në rend të parë është portali ‘Periskopi’, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Millan Radoiçiç, dhe kohët e fundit është bërë një transaksion miliona dollarësh te [portali] ‘Nacionale’, i cili është vënë në dispozicion të pushtetit të Vuçiçit me tekste kritike për Qeverinë e Albin Kurtit, duke shkaktuar zemërim te shqiptarët e Kosovës.
Sipas njohurive tona, përveç një medie të njohur në Sarajevë, emrin e së cilës nuk do ta zbulojmë ende, në radarët e Vuçiqit është edhe ‘Slobodna Bosna’. Sipas një skenari të mirëpërgatitur, një ushtri botësh ka për detyrë të rrëzojë serverët dhe të kryejë sulme ndaj portalit dhe rrjeteve sociale, gjë që deri tani kemi qenë dëshmitarë të panumërt të sulmeve të tilla, dhe nëse ai plan nuk arrin, fillohet me përpjekjet për të marrë nën kontroll median. Detajet e mëtejshme rreth mediave që ka marrë nën kontroll regjimi i Vuçiçit do t’i lexoni së shpejti në vazhdimin e hetimit tonë…/Pamfleti