Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se dhunuesit në familje do të pajisen me byzylykë elektronikë që do të mbikëqyren nga shteti përmes sistemit të ri. Ky sistem do të mundësojë mbrojtje më të madhe për viktimat dhe do të ndihmojë në reagimin e shpejtë të policisë. Haxhiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve dhe shoqërisë për parandalimin e dhunës në familje.
Të gjithë personat të cilët ushtrojën dhunë në familje në kosovë do të pajisen me byzylykë në këmbë!
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e lansimit të sistemit për mbikëqyrjen elektronike, duke e vlerësuar si një hap që ka për qëllim forcimin e masave mbrojtëse për viktimat dhe se dhunuesit do të mbikëqyren nga shteti.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Haxhiu shpjegoi se ky sistem do të mundësojë që individët që kanë urdhra mbrojtës të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet, duke u garantuar viktimave mbrojtje të shtuar.
“Vlerësoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit të dhunës me bazë gjinore, kemi arritur që të lansojmë sistemin për mbikëqyrjen elektronike. Që përçon mesazh të qartë në dy drejtime së pari ndaj dhunuesve që ata do të mbikëqyren nga shteti kur kanë të vendosur vendime të gjykata pra urdhëra mbrojtës, përmes së cilës iu ndalohet që t’iu afrohen viktimës. Në anën tjetër përçon mesazh edhe tek viktimat që ato do të jenë të mbrojtura, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Pajisjet për mbikëqyrjen elektronike do të vendosen tek dhunuesit dhe viktimat, duke mundësuar përcaktimin e lokacionit të tyre dhe mundësinë që Policia e Kosovës të reagojë në kohë reale për të mbrojtur viktimat.
“Përmes pajisjeve te personi ndaj të cilit ka vendim të gjykatës në raport me mbikëqyrjen elektronike do të vendoset një hallkë në këmbë do ta mbajë me vete gjithnjë këtë pajisje, në të njëjtën kohë edhe viktima detyrohet që të mbahet një pajisje në mënyrë që të dihet lokacioni i saj dhe që Policia e Kosovës, që të jetë në gjendje që të mbrojë viktimat në këto raste. Duke qenë që ne sapo kemi filluar me këtë proces, ndonëse ligji është miratuar në vitin 2015. Tashmë, sipas informacioneve që ne i kemi nga Policia tashmë gjykata në momentin që lëshon urdhëra mbrojtës do të mund të kemi mbikëqyrjen e parë përmes sistemit elektronik”, ka thënë ajo.
Megjithëse ministrja Haxhiu tha se ka pasur përpjekje të mëparshme për implementim, ajo ritheksoi se ky është një mesazh i qartë për dhunuesit se do të mbikëqyren nga shteti, ndërsa viktimat do të kenë mbrojtje të sigurt.
“Besoj që po përçoj mesazh si institucione që dhuna në familje është përgjegjësi institucionale që nuk do të tolerohet dhe nuk mund të neglizhohet dhe na përket të gjithëve që të jemi bashkë dhe të angazhohemi në këtë drejtim. Mendoj që për të pasur parandalim dhe minimizim të këtyre rasteve duhet që të gjitha institucionet ta kryejnë detyrën e tyre, edhe fushatat të cilat po i bëjmë kundër dhunës në familje, të kenë impakt në shoqëri. Sepse roli i shoqërisë është i rëndësishëm, ky sistem do të ofrojë siguri për gratë në mënyrë që ato të mos ndihen të kërcënuara gjatë kohës ndaj dhunuesit që e ka paraqitur dhe ka raportuar, ka një mbikëqyrje dhe urdhër mbrojtës. Vlerësoj që ne do të arrijmë përmes këtij sistemi që t’i bëjmë gratë të ndihem më të sigurta, por duhet të ketë bashkëpunim me institucionet”, theksoi ministrja.
Ajo e vlerësoi këtë hap si të rëndësishëm, por apeloi që të gjitha institucionet të përmbushin detyrat me përgjegjësi.
Haxhiu inkurajoi viktimat e dhunës që ta raportojnë atë në Policinë e Kosovës dhe të besojnë tek institucionet për mbrojtje dhe rehabilitim.