Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka folur për ligjin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe për miratimin e skemës së subvencioneve për fermerët dhe blegtorët.
Lidhur me kultivimin e kanabisit, ministrja bëri të ditur se janë përcaktuar 10 zona kadastrale në të gjithë Shqipërinë, ku toka është e përshtatshme për këtë kulturë. Denaj theksoi se zonat janë përzgjedhur në bazë të studimeve të mirëfillta dhe janë përjashtuar zonat me bujqësi të zhvilluar, si Myzeqeja dhe Korça, për të mos ndikuar në aktivitetet bujqësore tradicionale.
“Kjo është në vijim të një ndryshimi ligjor të bërë dy vite më parë. Zonat e përcaktuara janë të studiuara dhe të përzgjedhura për të garantuar cilësi dhe kontroll të procesit,” u shpreh Denaj.
Po ashtu, ministrja njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar sot skemën e subvencioneve për fermerët dhe blegtorët, si pjesë e programit për zhvillimin rural. Skema synon të mbështesë sektorë të ndryshëm të bujqësisë përmes fondeve shtetërore.
“Ky është një vit i rëndësishëm për bujqësinë shqiptare. Skema e subvencioneve nis sot dhe ka për qëllim të ndihmojë fermerët në përmirësimin e prodhimit dhe zhvillimin e sektorit,” tha Denaj.