SPAK me strategji të re, kontroll pasuror për të gjithë të akuzuarit

Prokuroria e Posaçme ka hartuar një strategji të re sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Strategjia përmban 7 objektiva që synohet të arrihen deri në vitin 2027. SPAK premton të rrisë forcën e saj goditëse, mbi objektivat që i ka përcaktuar ligji.

Por në këtë strategji bëhet një paralajmërim i fortë për pushtetarët, pasi SPAK njofton se do të rrisë hetimet pasurore. Sipas saj, në çdo rast do të ketë hetim pasuror për të akuzuarit.

Prokuroria e Posaçme synon të shoqërojë çdo hetim penal me hetim financiar dhe pasuror, me qëllim rritjen e numrit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të produkteve të pastrimit të parave”, njofton SPAK.

Në dokumentin që ka siguruar “Pamfleti”, Prokuroria e Posaçme bën me dije do të zhvillojë më tej kapacitetet teknike dhe njerëzore, duke ngritur kapacitetet analitike dhe nivelin e ekspertizës, e cila do të shtrihet edhe në hetimet digjitale, duke përfshirë trajnimin e specializuar të hetuesve financiarë dhe përdorimin e teknologjisë për analizën e transaksioneve financiare.

Gjithashtu SPAK bën me dije se do të kërkojë rritje të numrit të hetuesve të BKH, duke qenë se një pjesë e madhe kanë rol kyç në përgjime.

Duke qenë se bërthama komanduesë e përgjigjes zë një numër të konsiderueshëm të hetuesve, emërimi i hetuesve të tjerë të BKH-së është një tjetër objektiv i rëndësishëm për t’u përmbushur brenda vitit 2027. Gjithashtu, për të rritur koordinimin me institucionet e tjera në vend, është parashikuar edhe ngritja sa më shpejtë e Seksionit të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, pranë BKH-së”, theksohet në dokument.