Tensionet në Theth vijojnë të përshkallëzohen ndërsa Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po çon përpara aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Raportohet se ditën e sotme disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me molotov fadroma të IKMT‑së si edhe urën kryesore të lagjes “Gjelaj”.
Menjëherë pas incidentit, forcat e rendit rrethuan zonën dhe kanë nisur kërkimet për autorët e dyshuar.
Po ashtu raportohet se forca nga FNSH janë nisur drejt Thethit nga kryeqyteti për të ndihmuar autoritetet.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth ka nisur të merkurën ku IKMT po rrafshon objekte me strukturë prej druri të banorëve. Këta të fundit nuk kanë marrë lejen përkatëse nga autoritetet duke qënë se tokat që kanë marrë ne ligjin 7501, i kanë pa çertifikatë pronësie. Megjithatë, pronarët e objekteve po kundërshtojnë me forcë aksionin duke pretenduar se janë në të drejtën e tyre për të shfrytëzuar tokën që kanë në pronësi.