Oficeri i policise dhunoi kamarierin ne Vlore per nje shishe uje, pezullohet nga detyra

Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar Ardian Isufi, me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, që parashikon masa për: raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

Burime nga vendngjarja dhe pamjet filmike tregojnë se Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, person me precedentë penalë, kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj një kamarieri të ri, vetëm pse ai kishte çuar në tavolinë një shishe uji më shumë se porosia.

Sipas dëshmitarëve, Isufi është parë teksa i afrohet kamarierit në mënyrë kërcënuese ndërsa më pas, Leart Bimo e sulmon fizikisht disa herë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e të riut. Dhuna është kryer në prsnitë klientëve që, të tmerruar nga skena, janë larguar menjëherë duke lënë lokalin bosh.