Stuhia godet vendin, 10 qytetarë u lënduan në Tiranë

Era e fortë dhe reshjet e shiut në Tiranë kanë shkaktuar lëndimin e 20 qytetarëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Traumës.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 10 prej tyre pas mjekimit janë larguar, ndërsa 10 të tjerë po marrin ende kujdes mjekësor.

Pas ditëve të nxehta të gushtit, e gjithë Shqipëria është përfshirë sot nga moti i keq me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme, që kanë sjellë dëme dhe pengesa në disa qytete të vendit.

Në Tiranë, stuhia rrëzoi pemë në disa zona, përfshirë ish-stacionin e Trenit, Shkollën e Bashkuar dhe zonën e Oxhakut, ku qarkullimi u bllokua përkohësisht. Situata solli vështirësi për automjetet dhe këmbësorët, ndërsa shërbimet e emergjencës u angazhuan për pastrimin e rrugëve.

Në Vlorë, erërat e forta sollën një stuhi rëre që mbuloi rrugët dhe uli dukshmërinë, duke shkaktuar kaos në lëvizjen e qytetarëve. Trafiku u rëndua ndjeshëm pasi shumë pushues u larguan me shpejtësi nga qyteti, duke bllokuar akset hyrëse dhe dalëse.

Probleme të shumta janë shënuar edhe në Lezhë, ku reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe në lagjen Besëlidhja. Niveli i ujit ka arritur deri në 30 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke e vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Përmbytjet janë shoqëruar edhe me ndërprerje të energjisë elektrike, përfshirë zonën turistike të Shëngjinit.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal në qarkullim dhe i këshillojnë qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. / Albanian Post