Sherifi ka mbërritur në qytet
Një kaubojs nga Cërriku, tashmë Ministër i Bujqësisë, po tregon se siguria ushqimore për të është prioritet. Shumë kanë filluar të dridhen — sot misri, dje mandarinat, nesër diçka tjetër. Një nga një, fijet e korrupsionit po shkeputen, për t’ia kthyer popullit integritetin institucional dhe garancinë për shëndetin e tyre e të fëmijëve tanë.
Sherifi-kaubojs ka ardhur, dhe shpresojmë të mbajë këtë linjë — të paktën në fushën e sigurisë ushqimore. Aty nuk duhet të ketë negociata, por vetëm qëndrueshmëri e vendosmëri. Sepse për jetën nuk negociohet: për ata që bëjnë pazare me të, duhet prerë çdo lidhje e pistë.
Shpresojmë të mos thyhet, të mos përkulet dhe të qëndrojë Ministër deri në fund, sepse një 37-vjeçar ka gjithë jetën përpara për të dëshmuar se ndodhet aty jo për privilegje, por për të vendosur një standard ndryshe atë europian dhe për të garantuar një siguri ushqimore që qëndron mbi gjithçka.
Ajo vdes e fundit — shpresa. Prandaj, kam vendosur të pres deri në janar për ta parë nëse Ministri do të mbetet ai që është betuar për të rikthyer rendin në sigurinë ushqimore, apo do të kthehet në atë që kërkon të lidhë kontrata të reja.
Mbetet për t’u parë…
Kete te shtune u njoftua se një sasi prej 25 tonë misër me aflatoksinë që po hynte në territorin shqiptar nga Serbia u bllokua. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër gjatë kryejes së kontrolleve ka konstatuar prani të lartë të aflatoksinës B1, një substancë toksike që tejkalon normat e lejuara për Shqipërinë.
Misri që vinte nga Serbia kishte si destinacion qytetin e Elbasanit, dhe ishte i destinuar për përdorim blegtoral por aflatoksina është e rrezikshme pasi kalon nga kafsha te njeriu pas konsumimit të produkteve si qumësht apo mish. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet edhe në sasi të tjra të misrit të cilat kanë hyrë nëpërmjet doganës së Hanit të Hotit.