Aktorja Anila Bisha, kerkon urgjentisht te hiqet nga perdorimi imazhi i saj per ministren virtuale Diella. Projekti i guximshem i qeverise shqiptare per perdorimin e inteligjences artificiale, qe la “gojehapur” edhe udheheqesit e vendeve me te zhvilluara te botes eshte kthyer në një betejë ligjore që ka përfshirë njërën prej aktoreve te njohura te vendit dhe institucionet më të larta të shtetit. Aktorja Anila Bisha ka dorëzuar zyrtarisht një padi në Gjykatën Administrative, duke vënë përballë ligjit Këshillin e Ministrave, kompaninë “Apel” dhe AKSHI-n.
Në padinë e saj, aktorja 57-vjeçare kërkon marrjen e një mase sigurimi të menjëhershme: ndalimin e përdorimit të imazhit të saj deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Argumenti kryesor i Bishës lidhet me tejkalimin e kontratës. Sipas dokumentacionit, aktorja kishte dhënë leje që imazhi i saj të përdorej si asistente virtuale në platformën e-Albania deri më 31 dhjetor 2025. Mirëpo, shndërrimi i këtij avatari në një “Ministre të Prokurimeve Publike”, një post politik i prezantuar me bujë nga kryeministri Edi Rama, nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes fillestare.
Dyshimet dhe pakënaqësitë e para aktorja i kishte lënë të kuptoheshin edhe gjatë një interviste në një emision. Edhe pse fillimisht e mori me sportivitet “emërimin” e saj si ministre virtuale, Bisha theksoi se pagesa që kishte marrë ishte vetëm për shërbimet e e-Albanias dhe jo për rolin e ri politik që iu dha avatarit të saj.
Gjatë rrëfimit të saj, aktorja tregoi për punën voluminoze që i ishte dashur për të “ngjallur” Diellën, duke regjistruar orë të tëra tekstesh dhe duke kaluar procese të lodhshme teknike për të sinkronizuar zërin dhe lëvizjet e gojës. Megjithatë, ajo që nisi si një bashkëpunim korrekt me AKSHI-n, duket se u kris kur imazhi i saj u përdor si pjesë e kabinetit të ri në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Kujtojmë se ministrja “Diella” u prezantua më 11 shtator si një risi që do të revolucionarizonte administratën. Kryeministri Rama madje shkoi më tej, duke deklaruar se Diella do të zhvillonte edhe “fëmijët” e saj virtualë, të cilët do të synonin të zëvendësonin rolin e 83 deputetëve të mazhorancës në komunikim.
Tashmë, fati i “ministres” më të përfolur varet nga vendimi i Gjykatës Administrative.