Ekskluzive/ “Me premtoi punë por më rrëmbeu vajzën”, u plagos nga daja i deputetes. Rrëfimi i plotë i Enver Grëmaj

E rende ne Rroskovec, daja i deputetes, tenton të marrë me forcë vajzën që me herët e kishte mbajtur peng për 45 dite

Një ngjarje e rëndë u rregjistrua në Suk të Rroskovecit ku një 67 vjeçar u plagos me armë të mprehtë nga një 52 vjeçar, teksa ky i fundit tentoi t’i rrëmbente me forcë vajzën.

Policia e Fierit tha në një komunikim për shtyp, se 67 vjeçari Enver Grëmi, u godit në këmbë me një mjet prerës ( drapër) nga Bledar Bakaj, për motive të dobëta. Por viktima, Enver Gremi, ka rrëfyer për newsgate.al një version tjetër për ngjarjen, madje ai flet për rrëmbim dhe përdhunim të vajzës së tij 34 vjeçare. Enver Grëmi trondit me dëshminë e tij, kur thotë se e njohu Bakaj-n përmes motrës së tij, e cila jeton në të njejtin fshat me autorin. E motra i ka thënë të moshuarit se Bakaj mund ta ndihmojë për një vend pune pasi është daja i deputetes Zegjine Caushi.

“Kam një motër të martuar në Mbërs, ajo më tha që kemi një këtu, ndoshta të ndihmon se është daja i deputetes, Zegjjnesë. Më dha numrin e telefonit, u takuam te shkolla në Rroskovec. Më pyeti sa djem ke ? i thashë tre, tani ke katër më tha, të kam baba. Që prej asaj dite ka ardhur disa herë në shtëpi, m’u sëmur çupa, më tha do të ndihmoj me ilaçet. Vajtëm në spital, aty se nga u fut, s’e pashë më vajzën. E mora ne telefon, më zha jemi ne ambulancë po e çojmë në Tiranë. Që atë ditë nuk e dinim se ku ishte vajza. Ajo shpëtoi siç na tregoi kur erdhi pas 45 ditësh, vetëm sepse atë ditë ai kishte dalë për një punë për vete. E solli djali i Bledarit në shtëpi. Më tha, më mirë më vrisni ju se sa të më vrasë ai”, rrëfeu për newsgate.al Enver Grëmaj.

Sipas dëshmisë së 67 vjeçarit i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal të Fierit pasi u plagos me mjet prerës nga Bledar Bakaj, gjatë disa muajve Bakaj i vizitoi në shtëpinë e tyre në Suk, Enverin, bashkëshorten dhe vajzën e tij. Bakaj është ofruar të çojë për vizitë në spitalin e Fierit vajzën e Enverit pasi ajo vuan nga anemia. Në 26 maj babë e bijë shkuan bashkë me Bledar Bakaj-n në spitalin e Fierit për të kryer një vizitë mjekësore. Që atë ditë deri në 10 korrik, Enveri dhe bashkëshortja e tij nuk e panë dhe as komunikuan me vajzën. Bledar Baka sipas 67 vjeçarit, e mori vajzën duke dalë nga dera e pasme e spitalit dhe kur ky e telefonoi për ta pyetur ku ndodhej vajza, Bakaj i tha se po shkojnë me ambulancë në Tiranë.
Për 45 ditë, vajza nuk ka folur me prindërit teksa këta të fundit shkuan të bëjnë denoncim në polici.

Kur është kthyer te prindërit, vajza ka rrëfyer se është përdhunuar dhe mbajtur me forcë nga 52 vjeçari. Ajo ka mundur të shpëtojë pasi atë ditë Bledarit i duhej të shkonte në një takim pune. Më pas, ajo kërkoi urdhër mbrojtjeje në policinë e Fierit.

Një natë më parë, Bakaj shkoi në shtëpinë e familjes Grëmi ne Suk, duke tentuar të marrë vajzën sërish. Por 67 vjeçari nuk e lejoi duke u përballur me sulmin e Bakaj-t që e la të plagosur me këmbë.

Njoftimi i policisë së Fierit

Roskovec/ Plagosi me mjet prerës (drapër), një 67-vjeçar, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin B. B., 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, në fshatin Suk, Roskovec, shtetasi B. B., 52 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin E. G., 67 vjeç, në banesën e tij, e ka goditur atë me mjet prerës (drapër), në këmbë.

Shtetasi B. B. ka thyer urdhrin e mbrojtjes që i ka caktuar Gjykata, ish-bashkëjetueses së tij (vajza e 67-vjeçarit), duke shkuar në banesën e tyre, ku më pas ka ndodhur konflikti.

Autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi B. B., u kap pas 30 minutash, afër banesës së tij, në fshatin Mbërsh, Roskovec.

Shtetasi E. G. po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.