Përmes një postimi në Instagram Story, Lati ka publikuar një listë me gjashtë këshilla, ku theksi vihet te e drejta për të kontaktuar familjarët, prania e avokatit dhe kujdesi gjatë dhënies së deklaratave.
“Nëse arrestoheni”, nis mesazhi i shpërndarë prej saj, duke këshilluar qytetarët që të kërkojnë mundësinë për të kryer telefonatën që u takon sipas ligjit dhe të kontaktojnë një avokat.

Në vijim, postimi u bën thirrje protestuesve të mos nënshkruajnë dokumente apo të japin deklarata pa praninë e përfaqësuesit të tyre ligjor. Një tjetër këshillë është që të mbajnë mend orën e arrestimit dhe momentin kur janë dërguar në komisariat.
Mesazhi përmban edhe paralajmërime për presione të mundshme gjatë shoqërimit apo qëndrimit në ambientet e policisë, duke u kërkuar qytetarëve të mos pranojnë veprime nën presion.
“Mos bini pre e asnjë presioni”, thuhet në përfundim të postimit që moderatorja ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit e saj.