Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka kritikuar mënyrën se si është menaxhuar protesta nga uniformat blu, duke vënë në dukje probleme në organizimin dhe koordinimin e forcave në terren.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ai tha se menaxhimi i turmave kërkon profesionalizëm dhe angazhim, ndërsa ngriti shqetësime për raste kur, sipas tij, nuk janë respektuar siç duhet protokollet dhe standardet që duhet të ndjekë Policia e Shtetit. Nano theksoi se pamjet e publikuara nga protesta duhen parë në tërësi përpara se të nxirren përfundime, por shtoi se nga ato që ka vëzhguar ka konstatuar mungesë koordinimi mes efektivëve.
Ai nënvizoi se Policia e Shtetit synon të funksionojë sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe se, për këtë arsye, raste të tilla nuk duhet të pranohen.
“E kam ndjekur situatën dhe dua të them se është pak e komplikuar. Menaxhimi i turmave kërkon angazhim dhe profesionalizëm. Nuk jam dakord me ushtrimin e dhunës, pasi ajo nuk justifikohet nga kërkesat e protestuesve, por duhet të përmend edhe detyrat që ka Policia e Shtetit për menaxhimin e protestave.
Kam parë disa video, por nuk dua të dal në një përfundim të prerë, pasi duhen parë në kompleksitet. Kam vënë re që forcat e policisë kanë pasur një lloj çakordimi, ose nuk kanë qenë aq të organizuara në situata të tilla.
Edhe situata mund të të bëjë të gabosh në terren, por ne pretendojmë të kemi një polici sipas standardeve të BE-së, e cila është trajnuar nga kolegë të ndryshëm ndërkombëtarë. Nuk mund të pranojmë raste të tilla që kemi parë”, u shpreh Gledis Nano.