Rrugaçët !!!

Nga Gjergj Erebara

RRUGAÇËT!!!

“Rrugaçe”, i tha një oficer policie që ishte rreth të pesëdhjetave, ndërsa i dridhej buza e poshtme, tre vajzave gjimnaziste. Vajzat lëshuan një breshëri si mitraloz me sharje vulgare ndaj oficerit, larmishmëria e të cilave nuk kaloi pa më bërë përshtypje edhe mua që zakonisht promovoj me aq sa mundem thyerjen e tabusë së përdorimit të sharjeve vulgare, së paku në letërsi dhe në një masë më të kufizuar, në komunikim publik, për të shprehur revoltë.
Personalisht mendoj se vajzat gabuan dhe se oficeri i policisë nuk i meritonte gjithë ato sharje. Kjo ndodhi në ditën e tretë të demonstratave dhe dhuna policore ishte ende për t’u shpalosur.
Megjithatë, konkluzioni që vajzat ishin “rrugaçe” për shkak se po shprehnin zemëratë me një gjuhë që zakonisht ka qenë e rezervuar për çunat, mendoj se nuk është ndihmues për të kuptuar gjendjen aktuale. Nga njëra anë sharjet e tilla që historikisht kanë qenë të rezervuara për çunat, nga vajzat që mund të ishin shtatëmbëdhjetë vjeç pak a shumë, mund të klasifikohet si një formë emancipimi. Nga ana tjetër, vajzat ishin pak a shumë në të njëjtën moshë që fëmijët e policit duhet të kenë. E nëse e ngremë këtë në nivel kombëtar, këto “rrugaçet” janë praktikisht fëmijët tanë.
Dhe, pavarësisht nëse e shohim përdorimin e vulgariteteve nga fëmijët tanë si shthurrje, apo, siç e shoh unë, si një formë pekuliare emancipimi që nuk përbën ndonjë shqetësim të madh, çështja mbetet njësoj: prindërit janë përgjegjës. Kështu që, gjenerata 40-60, në të cilën bëj pjesë unë, dhe, me aq sa mund të gjykoj, oficeri i policisë që hëngri të sharat, dhe gjithashtu, një pjesë disproporcionalisht e madhe e popullsisë shqiptare, duhet të ngremë pyetjen nëse kontributi që kemi dhënë për vendin, ka qenë i mirë apo i keq. Nëse ka qenë i mirë, (unë vetë pretendoj se të tillë e kam), atëherë duhet të pyesim nëse ka qenë mjaftueshëm mirë. E nëse ka qenë i keq, sa i keq. Pyetja është nëse kemi kontribuuar për të krijuar një vend më të mirë ku këto adoleshentët do të jetojnë edhe pasi ne të kemi ikur, apo kemi krijuar një vend të keq, ose nuk ia kemi dalë të pengojmë të keqen.
Me një fjalë, pyetja është nëse gjenerata jonë i meriton te sharat e larmishme që ato tre vajza gjimnaziste ia lëshuan me aq gjuhë të thatë oficerit të policisë apo jo.
Le të meditojmë për këtë çështje këtë mëngjes të diele, pas një nate të kaluar përgjithësisht pa gjumë, në mes të krizës më të rëndë politike që vendi ka përjetuar në tre dekada. Në fund të meditimit duhet të zgjedhim se si duhet të veprojmë për të ndihmuar gjeneratën e këtyre vajzave që shanë policin për të rrëzuar këtë regjim dhe, ajo që është më e rëndësishme, çfarë duhet të bëjmë për të formësuar një Shqipëri të Re, një që ka aftësinë të përmirësohet, me shpresë që këto vajzat ndoshta do të pendohen e do të kërkojnë ndjesë për breshërinë e sharjeve.
Shihemi në shesh!
Sot më shumë!
Më shumë protestues e sa më pak gurë!