Rama identifikon “dorën” pas protestave: Antifa organizatë terroriste

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Brendshëm Ervin Demo, po zhvillon mëngjesin e sotëm një takim me Policinë e Shtetit, lidhur me protestat që kanë përfshirë vendin prej gjashtë ditësh.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se të rinjtë që marrin pjesë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, që sipas tij, Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste.

Gjithashtu Rama i krahasoi protestat në Shqipëri me zhvillimet në disa vende europiane, duke përmendur Francën, Italinë, Portugalinë dhe Belgjikën. Sipas tij, në këto vende nuk ka pasur mbështetje politike për personat që ushtrojnë dhunë gjatë protestave.

“Natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse edhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.

Ata që janë këtu pak më në moshë i kanë ende kujtimet e asaj kohe nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe do fillonte nga e para. Kështu që, po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaj një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e Policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë dhe, mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni edhe nën sulmin e ekraneve.

Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi, siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë. Kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Nuk ka dalë t’u bëjë hyzmet flakëve mbi institucione”, tha Rama.