Lihen në burg ish drejtori i Kadastrës së Fierit, ish-administratori dhe noterja

Pas rreth 7 orësh seancë maratonë në Gjykatën e Fierit, është vendosur vijimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për ish-drejtorin e Kadastrës së Fierit, Arben Vojen, Dilaver Shytin dhe Anila Haxhiun.
Ndërkohë, për Fjorelo Biden gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë, duke vendosur ndaj tij tre masa ndaluese. Për Arbina Jaupajn janë lënë në fuqi masat e mëparshme, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Çështja lidhet me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private për ndërtimin e një parku fotovoltaik, përmes dokumenteve të falsifikuara.

Gjyqtari Noel Veizi shqyrtoi për plot 7 orë provat dhe pretendimet e palës mbrojtëse duke vendosur që të vijojë masën e sigurisë arrest me burg për Ish drejtorin e Kadastrës, Arben Voja, ish kryetarin e Njësisë Administrative Dërmenas Dilaver Shyti dhe noteren Anila Haxhiu. Dy ditë më parë i njejti gjyqtar miratoi kërkesën e Prokurorisë së Fierit për caktimin e arrestit në burg për katër zyrtarët dhe arrest në shtëpi për një specialist. Afera e 44 mijë metrave katrorë toke në Povelçë, dyshohet se është bërë në mashtrim të ligjit, me dokumenta të fallsifikuara për t’u shitur më pas për panele diellore.
Të dyshuarit përballen me akuzat për mashtrim, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Hetimet për tjetërsimin e pronës shtetërore vijojnë.