Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse ka ndodhur rreth orës 04:30 të mëngjesit të sotëm në qytetin e Patosit, ku është dëmtuar muri rrethues dhe porta e një banese private.
Sipas burimeve policore, në zonën ku ndodhet banesa është dëgjuar një shpërthim, ndërsa dyshohet se është përdorur lëndë plasëse. Ka qenë vetë pronari i banesës, 33-vjeçari me inicialet M. P., i cili ka njoftuar sallën operative të policisë për dëmtimin e portës rrethuese.
33-vjeçari ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, pasi dyshohet se ka goditur një punonjës të Policisë së Burgjeve.
Sipas të njëjtave burime, 33-vjeçari ka qenë i përfshirë edhe në një vrasje të ndodhur në vitin 2010, kohë kur ishte vetëm 17 vjeç. Për këtë arsye, një nga pistat që po shqyrtohet nga grupi hetimor është ajo e një konflikti të mundshëm me motive hakmarrjeje.
Grupi hetimor ka kryer veprimet e para në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.