Me një karrierë që nisi si kryekomunar në Seman, Arben Voja mbante së fundmi postin e drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit, një institucion me varësi direkte nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që lidhjet e forta në atë qark e katapultuan në atë detyrë. Më herët, Voja drejtoi për disa vite Drejtorinë Rajonale të Kadastrës në Fier, i emëruar në atë pozicion sërish për merita politike, teksa aksioni i fundit i organeve ligjzbatuese i gjeti një dosje të madhe korrupsioni.
Ndërkohë, gjatë shoqërimit dhe kontrollit të banesës, Vojës iu gjetën 7 zarfe me para’, si një dëshmi e qartë se “është totalisht i korruptuar”, jo vetëm në Kadastër dhe në Spital, por edhe në institucionet e tjera që ka drejtuar, si kryetar i Komunës Topojë apo si drejtor në Agjencinë Rajonale të Mjedisit. Prokuroria i ka renditur të gjitha faktet, ku ai me një të rënë të lapsit tjetërsoi 44 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Povelçë.
Në njoftim, akuza e Fierit thotë se tjetërsimi i pronave në Povelçë është bërë me firmën e Vojës, ku në atë sipërfaqe do të ndërtohej edhe një park fotovoltaik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Fierit, Arben Voja aktualisht mban mbi shpinë akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, teksa akuzat mund t’i shtohen për shkak të 7 zarfeve me para që iu gjetën në banesë, apo edhe shkeljeve në institucionet e tjera që ka drejtuar.
“Gjatë kontrollit ushtruar në banesën e personit nën hetim Arben Voja, në Fier, brenda një sirtari të mbyllur me çelës, janë gjetur 7 zarfe me para, në të cilat janë shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Në total u sekuestruar 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 kurora norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. U gjetën dhe sekuestruan gjithashtu 46 fishekë armë zjarri të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu”, thotë prokuroria.
Akuzat e sipërpërmendura duket se janë vetëm maja e ajsbergut e Arben Vojës në Fier, teksa në këto radhë, Vox News, ka bërë një profil të fierakut, i cili në të gjitha drejtoritë që ka qenë, ka bërë korrupsion, intrigë dhe zhantazhe, teksa çuditërisht institucionet që duhet ta kontrollonin dhe hetonin, e kanë “amnistuar”.
“Duke e nisur së fundmi, gjatë kohës që ka qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja u bënte kurthe mjekëve. Sajonte histori me pacientë, gjoja se paguanin mjekët nën dorë. Skema ishte e thjeshtë për të vjedhur e bërë korrupsion nga ana tjetër. Për t’u mbyllur gojën mjekëve dhe personelit që mos ta denonconin. Histori të ulta që i ka bërë në të gjitha institucionet që ka qenë”, tha një punonjës i Spitalit të Fierit, në kushte anonimati.
Sipas tij, një histori intrige ka ndodhur vitin e kaluar, ku Voja ishte “regjisori” i të gjithë skemës, duke u marrë me denoncues, me polici e prokurori. Ndërkohë, punonjësit pohojnë se nga ana tjetër, mjafton një kontroll dhe do të zbulohen shumë zullume të Arben Vojës në drejtimin e Spitalit të Fierit, tenderat e paracaktuar, emërimet apo shkarkimet.