Veliaj nis spastrimin e vartësve që nuk i binden, Rama urdhër zyrtarëve të bashkisë: Mos zbatoni asnjë urdhër nga qelia

“Çdo drejtuesi dhe çdo hallke të Bashkisë së Tiranës, ju them sot se goditja e njerëzve në krye të detyrës, me porosi nga lart, me motive krejt të pajustifikueshme, as nuk do të harrohet dhe as nuk do të falet.”

Ky ishte paralajmërimi i hapur dhe publik i kryeministrit Edi Rama, për të gjithë zyrtarët e lartë në Bashkinë e Tiranës, të cilët sipas tij zbatojnë urdhrat që kryebashkiaku Erion Veliaj ju dërgon nga qelia, duke thënë se reagimi politik do të jetë shumë i ashpër.

Sikundër citon newsboomb.al, burimet brenda Asamblesë së PS në Tiranë, mësohet shkak për këtë luftë të hapur mes Edi Ramës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, është bërë shkarkimi i disa zyrtarëve të lartë të bashkisë së Tiranës, nga postet që mbanin.

Urdhri mesa duket ka mbërritur nga qelia dhe besnikët e kryebashkiakut, i kanë zbatuar si “porosi nga lart”. Jo vetëm shefja e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, por edhe kreu i IMT-së së Tiranës, Rigers Sheqeri dhe shefja e Urbanistikës, Jona Osmani, janë shkarkuar nga detyra.