Rama nuk del ne konference shtypi si çdo fundvit: Lashe te fliste Pakoja e Madhe e ndihmes per shqiptaret

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ditën e sotme vendosi të mos bënte një konferencë për shtyp si ccdo fundvit.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se zgjodhi që të ndihmonte qytetarët me Pakon e Madhe të dhënë për shumë kategori qytetarësh, nga pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara deri te invalidët e punës.

Sipas Ramës, e mira s’ka fund, por kjo do të jetë gjithnjë e më shumë qeveria e shumicës, jo e disave.


Postimi i plotë:

Sot nuk e pashë të udhës të bëj një konferencë shtypi si çdo fundvit, po lashë Pakon e Madhe kundër inflacionit të luftës të flasë për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, të cilët si kurrë më parë, do të marrin një mbështetje financiare ekstra, sepse si kurrë më parë, u duhet të përballen me një dimër me dorën e zgjatur të inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë.

Ne nuk mund t’i linim ata vetëm në këtë dimër të vështirë për të gjithë Europën, po mbi të gjitha për më të dobëtit. Prandaj duke u nisur në radhë të parë, pikërisht nga nevoja për ta larguar atë dorë shqetësuese nga konsumi i tyre bazë, ideuam Pakon e Madhe. Ndërkohë, kjo mbështetje nuk e zëvendëson, as e ndryshon zotimin se pensionistët do të jenë vitin që po vjen, përfituesit e parë nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, të cilën e miratuam në Kuvend me paketën fiskale 2023. Kështu që kjo pako, ku ka 8000Lekë të reja për çdo pensionist, e cila do të shpërndahet javët e para të janarit, nuk është mbështetja e fundit ekstra për pensionistët për vitin që po troket në derë.