Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, z. Anar Huseynov, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bibliotekën Publike “Dritëro Agolli” në Fier, ku u njoh me misionin, programet dhe aktivitetet kulturore të institucionit.
Në kuadër të thellimit të marrëdhënieve kulturore dhe akademike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, stafi dhe drejtuesja e bibliotekës Klodjana Gjata mirëpritën ambasadorin i cili u shpreh i impresionuar nga niveli i organizimit, angazhimi kulturor dhe volumi i madh i titujve në këtë bibliotekë
“Jam i kënaqur që ndodhem në një institucion kaq aktiv dhe me ndikim në jetën kulturore të Fierit. Këto janë modele që meritojnë mbështetje dhe bashkëpunim konkret,” i tha Ambasadori Huseynov drejtoreshës Klodjana Gjata.
Për ambasadorin Huseynov, janë bibliotekat, urat e vërteta lidhëse mes popujve dhe kulturave të tyre.


“Kultura është një gjuhë e përbashkët që afron njerëzit, pavarësisht kufijve”, citohet të ketë thënë mes të tjerash z. Huseynov.
Duke diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat e librit, arsimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të dy vendeve ambasadori shprehu gatishmërinë për të mbështetur projekte konkrete duke përfshirë bibliotekën e Fierit në ngjarje të rëndësishme kulturore që zhvillohen në Baku, Azerbajxhan.
Ai dhuroi një grup librash në gjuhën shqipe që trajtojnë tematika mbi kulturën, historinë dhe kulinarinë e Azerbajxhanit.
Gjatë vizitës në bibliotekë ambasadori Huseynov vlerësoi investimet e Bashkisë se Fierit mes të cilave edhe rikonstruksionin e dhe arredimin e mjediseve të bibliotekës. Ai shprehu konsideratë të lartë për Kryetarin e Bashkisë, të cilin e cilësoi si “njeri të veprave të mëdha, që i ka dhënë vlerë jetës kulturore të qytetit përmes investimeve konkrete.”

Në shenjë mirënjohjeje dhe mikpritjeje, i’u dhuruan disa suvenire simbolike si falënderim për vizitën dhe interesin ndaj punës së bibliotekës.
