Gordana Silanovska-Davkova u betua këtë të diel si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut që prej pavarësimit të vendit në vitet ’90. Por dita e saj e parë si Presidente, ishte një sinjal për një tjetër “dhimbje koke” për BE-në.
Pasi u betua, Davkova gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj. Davkova u betua se “do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut. Duke treguar se marrëveshja e arritur me Greqinë për çështjen e emrit do të kthehet sërish në një problem.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO. Por me ardhjen në pushtet të VMRO DPMNE-së, gjërat duket se do të jenë ndryshe.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha të shtunën se po ndjek me “shqetësim disa nga deklaratat e bëra nga zyrtarët e partisë maqedonase, VMRO DPMNE në lidhje me zotimet e tyre për të mos respektuar marrëveshjen e emrit të Prespës të vitit 2018.
Ai shtoi gjatë një interviste televizive se nëse kjo marrëveshje e arritur në 2018 do të shkelet atëherë do të ketë probleme mes d vendeve.
“Do të pres qëndrimin zyrtar të ushtruesit të detyrës së kryeministrit për të parë se si [kryeministri i ri Hristijan Mickoski] do t’i referohet emrit të vendit të tij. Unë personalisht nuk u pajtova me Marrëveshjen e Prespës… Pavarësisht mosmarrëveshjes sime, më duhej ta respektoja atë. Të njëjtat kërkesa ekzistojnë edhe nga lidershipi i Maqedonisë së Veriut. Unë dua të shpresoj që ajo që është dëgjuar para zgjedhjeve nuk do të dëgjohet pas zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, ne do të kemi probleme”, tha Mitsotakis në një intervistë për Alpha TV të shtunën.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i BE-së, pas deklaratave të presidentes së re Gordana Silanovska-Davkova. Ishte Ursula Von der Leyen e cila dërgoi një mesazh të ashpër për Maqedoninë e Veriut për perspektivën e saj të anëtarësimit.
Ajo theksoi se nëse qëllimi i Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në BE, atëherë ajo duhet të plotësojë kushtet të cilat u pranuan në marrëveshjen e Prespës.
“Në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është me rëndësi të madhe që vendi të vazhdojë kursin e tij reformues dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, tha ajo në një postim në platformën X.
Me kreun e Republikës Srbska, Milorad Dodik që kërcënon me shkëputje nga Bosnjë dhe Hercegovina, në njërën anë, me tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë që prej kohësh janë larguar nga tryeza e dialogut në anën tjetër, mesa duket, për BE-në do të lindë një tjetër “dhimbje koke”, ajo e një mosmarrëveshje mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut./Pamfleti