Detaje te reja nga megaoperacioni i SPAK, goditet banda e Nikles

Zbardhen të tjera detaje nga operacioni i SPAK për goditjen e kupolës së krimit në vend. Që prej ditës së djeshme janë lëshuar 43 urdhër-arreste për personazhet më me ndikim në krimin vendas dhe ende vijojnë kërkimet për ndalimin e shumë prej tyre.

Mes personave të futur në listë të zezë është edhe Durim Bami, një personazh i njohur në zonën e Niklës. Ai akuzohet për krijim kushtesh për atentatin ndaj Marklen Hakës ku mbeti e vrarë halla e tij. Ngjarja në fjalë ndodhi në viti 2019, natën e tërmetit të 21 shtatorit.

Për këtë ngjarje është arrestuar dhe Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, që rezulton i zhdukur. Enver Stafuka u rrëmbye dhe zhduk pa gjurmë. Lidhur me atentatin ndaj Hakës u shoqërua në polici edhe Roan Brahimi, që u vra pak ditë më parë në Greqi.

Deri më tani janë zbuluar 24 emra, shumica të njohur. Një pjesë janë në qeli, ku u janë shtuar akuzat, ndërsa një pjesë janë arrestuar. Por ka shumë të tjerë që kanë arritur të largohen dhe janë në kërkim. Por mister janë 20 emrat e tjerë që janë vënë në shënjestër të SPAK, të cilët nuk dihet se cilet janë.

Pritet ditën e sotme një reagim zyrtar nga policia ose SPAK për të hedhur dritë mbi gjithë operacionin.

Ditën e djeshme Policia, FNSH dhe RENEA kanë nisur aksion në disa qytete të vendit që në orët e para të mëngjesit me qëllim kapjen e kokave të krimit në vend.

Aksioni ka si qëllim zbardhjen e ngjarje të vjetra kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik vitet e fundit, ku protagonistë janë klani Duka, Avdylajt dhe Endrit Dokle që dyshohen si organizator dhe si persona që kanë dijeni për fatin e biznesmenit të lojrave të fatit.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej Gushtit të 2022-it, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një sërë ekzekutimesh të kryera nga dy klanet rivale.

Operacionet e sotme nga FNSH dhe RENEA po zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Krujë, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në banesa.

Hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve Sky që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Në shënjestrën e SPAK janë vënë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami, dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Docja, dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj në Shijak dhe kushëririn e tyre Aldo Avdylaj. Të gjithë këta emra krejt të ndryshëm nga njëri tjetri, i bashkon vetëm diçka: armiku i përbashkët, Ervis Martinaj.

Emrat e zbuluar deri tani

1- Leonard Duka – Tiranë

2- Erlis Duka – Tiranë

3- Astrit Avdylaj – Shijak

4- Altin Avdylaj – Shijak

5- Valter Bami – Krujë

6- Durim Bami – Krujë

7- Endrit Dokle – Durrës

8- Plarent Dervishaj – Durrës

9- Arben Ndoka, ish-deputeti i PS –  Lezhë 

10- Xhevi Ndoka në burg, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka – Lezhë 

11- Fatmir Hyseni alias Doçja  -Vlorë

12- Albert Zaja, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit – Fushë Krujë

13- Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca – Lezhë

14- Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca

15- Miri Bruli- Shkodër

16- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë

17- Viktor Ymeri, ndodhet në burg

18- Santino Basho, ndodhet në burg

19- Fatmir Hyseni, ndodhet në burg

20- Denis Meta, i arrestuar në Spanjë

21- Arjan Tuku, i arrestuar në Itali (dhëndri i Arben Ndokës)

22-  Ergert Mitri, ish-kreu i policisë Lezhë

23- Klodian Jashari, Shef i Sektorit të Hetimi Vlorë

24- Altin Morina, ish efektiv i RENEA.