Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim pas prezantimit të draftit të ri të Kodit Penal nga Ministria e Drejtësisë, duke kritikuar mungesën e një qasjeje për dekriminalizimin e shpifjes, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga organizata ndërkombëtare dhe partnerë europianë.
Në deklaratën zyrtare, AGSH shpreh keqardhje që autoritetet nuk e kanë shfrytëzuar këtë reformë ligjore si një mundësi për të hequr përfundimisht shpifjen nga legjislacioni penal një kërkesë e përsëritur nga Bashkimi Europian, OSBE dhe organizata të të drejtave të njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të informimit.
AGSH njofton se do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë dhe institucionalë, përfshirë procesin e konsultimit publik, për të paraqitur rekomandime konkrete që synojnë fshirjen e shpifjes si vepër penale. Organizata paralajmëron gjithashtu se do të kërkojë mbështetjen e Këshillit të Evropës për të shtyrë përpara këtë kauzë në nivel ndërkombëtar.
“Para se drafti të miratohet në Kuvend, i bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që do të nisin mandatin në shtator 2025, që të përfshijnë rekomandimet tona përmes amendamenteve konkrete gjatë shqyrtimit parlamentar,” thuhet në deklaratë.
Reagim i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë mbi Draftin e ri të Kodit Penal
Sot u prezantua drafti i Kodit të ri Penal në Republikën e Shqipërisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh keqardhjen që Ministria e Drejtësisë nuk e shfrytëzoi këtë moment si një mundësi për të ndërmarrë një dekriminalizim të plotë të veprës penale të shpifjes, ashtu siç është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, OSBE dhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit.
AGSH do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë në dispozicion, përfshirë procesin e konsultimit publik, për të paraqitur rekomandimet e veta, me qëllim që shpifja të hiqet përfundimisht nga legjislacioni penal.
Po ashtu, do të kërkojmë mbështetjen e Këshillit të Evropës për të avokuar në nivel ndërkombëtar që ky ndryshim të reflektohet në përputhje me standardet europiane të lirisë së medias.
Përpara se drafti të miratohet në Parlament, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të rinj që do të marrin mandatin në shtator 2025, që rekomandimet tona t’i përkthejnë në amendamente konkrete gjatë shqyrtimit parlamentar.
Dekriminalizimi i plotë i shpifjes është një domosdoshmëri për të mbrojtur gazetarët, aktivistët dhe zërat kritikë nga paditë strategjike (SLAPP), të cilat cenojnë lirinë e shprehjes dhe shtypin e lirë në vend.