Ideja e prodhimit të armëve në vend e zbuluar nga kryeministri Rama gjatë vizitës së Presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenksy, po merr formë.
Sipas një projektligji të hedhur për konsultim publik Shqipëria po përgatitet për zhvillimin e industrisë së prodhimit të armëve, duke përcaktuar edhe rregullat për kompanitë.
Për të nxitur kompanitë qeveria parashikon lehtësimin e barrës tatimore me kryesisht 10 vite pa paguar taksa.
“Këto lehtësira përfshijnë procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë, sipas legjislacionit në fuqi. Norma e tatimfitimit është 0 për 10 vitet e para të aktivitetit, ulje e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 10%, për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak, si dhe çdo përjashtim tjetër tatimor i aplikueshëm, bazuar në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar, përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, përjashtim nga taksa vendore dhe qendrore për një periudhë 10-vjeçare, përjashtim nga të gjitha taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak”.
Kompanitë private do të kenë suport dhe në faturat utilitare, si energji elektrike, ujë, gaz për 10 vite dhe do të kenë qasje në fond mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes. Por për të përfituar nga këto lehtësira duhet që çdo subjekt të investoj minimumi 25 mln euro.
“Subjektet që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë dhe që planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë Euro, kualifikohen për të përfituar lehtësira dhe incentiva.”
Me këtë projektligj tashmë jo vetëm shteti do të ketë mundësinë për të prodhuar armë dhe municione në Shqipëri por dhe kompanitë private.
Pranë Ministrisë për Mbrojtjen krijohet Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, AIM, e cila do të jetë përgjegjëse për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak./A2CNN