Durim Bami ndalohet ne Dubai, por nuk mund te ekstradohet. Nuk ka marreveshje mes Shqiperise dhe Emirateve Arabe

Ndalohen në Dubai vëllezërit Durim dhe Valter Bami. Sipas informacioneve, ndalimi i tyre ka ardhur në kuadër të aksionit të fundit të SPAK kundër bosëve të krimit.

Durim Bami rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK, i akuzuar për disa vepra penale. Në bazë të përgjimeve të SKY ECC, Durim Bami tentoi të vriste ish-deputetin Arben Ndoka. Ai ishte palë me grupin e Leonard Dukës, duke vënë në shënjestër edhe Ervis Martinajn. Për vëllanë e tij nuk ka një urdhër ndërkombëtar, por edhe ai del te dosja e SPAK. 

Burime bëjnë me dije se Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacion ditët e fundit për vendqëndrimin e dy vëllezërve në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët dyshohet se janë gjetur.

Sipas informacioneve, bashkë me ta është ndaluar dhe një mik i tyre, po personazh i botës së krimit. Autoritetet e Dubait kanë ushtruar kontrolle në banesat e tyre dhe kanë kryer verifikime. Por problemi kryesor i Dubait është mungesa e marrëveshjes së ekstradimit me Shqipërinë gjë që vështirëson sjelljen e tyre në Tiranë.

Durim Bami njihet nga të gjithë si “i fortë” i Niklës, që ka trazuar politikën shqiptare. Në 2015 Bamit i kanë vënë eksploziv në makinën e tij tip “BMW X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime. Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta,  kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Pas arrestimit ai tha se  ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin. Më  4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbimim prove”.

Po kështu 41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami u hetua për vrasjen e Artan Santos, dhe rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafukën. Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes.  Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENEA-s në Nikël  pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.