Dita e 10- të e grevës së naftëtarëve në Marinzë, ka filluar me një tubim para zyrave të kompanisë Bankers Petroleum ku me pankarta në duar protestuesit bënë të ditur se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre
Sipas kreut të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur Dritan Shahu, gjatë këtij tubimi përfaqësues të kompanisë kanë fotofgrafuar e filmuar punonjësit.
” Filmimet dhe fotografitë e protestave nga punonjës të Bankers janë bërë edhe në protestat e mëparshme. Ata e kanë formë presioni, taktikë për të intimiduar protestuesit.
Ndërkohë gjëndja shëndetësore e 10 anëtarëve të këshillit sindikal të cilët janë në ditën e 10-të të grevës së urisë pa afat , përkeqęsohet nga dita në ditë.
Sotiraq Dano, dhe Dorjan Dylmishi thonë se janë të vendosur të rrezikojnë edhe jetën, për të mos u tërhequr nga kauza e tyre.
“Na vjen keq qe fusha naftembajëse ka mbetur pa ne, pa punën dhe mbikëqyrjen tonë, por ne jemi gati të rrezikojmë jetën për të plotësuar kërkesat tona të drejta”, tha Dorjan Dylmishi
“ Inxhinierë, por të mjerë, kështu jemi ne” thanë inxhinierët e rinj Valter Nukaj dhe Arti Barjami. Ata prej vitesh punojnë te Bankers Petroleum pa asnjë rritje rroge.
“Kryeministri thotë që punë ka, por profesionistë jo. Ne ja ku jemi, le të na vlerësojnë” thonë ata njëzëri.
Bankers Petroleum nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete por naftetarët duken të braktisur edhe nga qeveria.
Punonjësit e Bankers Petroleum nisën 10 ditë më parë grevën e urisë pas refuzimit të kompanisë për të zbatuar kontratën kolektive në lidhje me rritjen e pagave të ulëta në mënyrë progresive.