Helmimi i fëmijëve me salmonelë, Autoriteti Veterinar: Të gjurmohet ferma që furnizon kopshtin me vezë

Kreu i Autoritetit Veterinar ka kërkuar masa të menjëhershme nga AKU për të ndalur infektimin e mëtejshëm te konsumatorëve me salmonele. Ervin Resuli tha nëpërmjet një statusi në facebook se siguria ushqimore duhet të na shqetësoje të gjithëve veçanërisht kur nga mungesa e kontrolleve dhe përgjegjësisë institucionale preken grupmoshat me imunitet të dobët si fëmijët dhe të moshuarit

“Mbi rezultatin e analizave laboratorike për prezencën e Salmonella spp. në mostra vezësh marrë nga kopeshti i femijeve ne Gramsh.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve dhe publikut mbi rastin e analizave të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), sqarojmë si më poshtë:

Në datë 29.05.2025, ISUV publikoi rezultatet zyrtare për analizat mikrobiologjike të kryera mbi 5 kampione vezësh të marra zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), rajoni Elbasan. Të gjitha kampionet kanë rezultuar pozitive për prezencën e bakterit Salmonella spp., sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017.

Ky rezultat është alarmant dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, veçanërisht në rastet kur produkti konsumohet pa përpunim të duhur termik. Prania e Salmonella spp. në vezë mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale tek konsumatorët, me pasoja serioze për grupet më të ndjeshme të popullatës (fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, persona me imunitet të ulët).

Bazuar në këtë situatë, rekomandojmë që:

Të ndërmerren menjëherë masa për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.

Të gjurmohet dhe izolohet loti i vezëve të kontaminuara.

Të kryhet një kontroll sanitar-veterinar i plotë në fermën ose subjektin që ka prodhuar ose shpërndarë produktin.

Të njoftohet konsumatori dhe të garantohet asgjësimi i produktit të pasigurt, sipas procedurave ligjore.

Përgjegjesia bie mbi AKU për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit”.