Helmimi i fëmijëve në Gramsh nuk e ndal kompaninë “Nelsa”, fiton tenderin 700 milionë për kopshtet në Tiranë.

Prokuroria e Elbasanit po bën çdo përpjekje për të mbrojtur pronarët e kompanisë “Nelsa Sh.p.k”, e cila helmoi 70 fëmijë në një kopsht shtetëror në Gramsh, duke shpërndarë ushqime të infektuara. Arsyeja kryesore është lidhja e drejtpërdrejtë mes Kryetarit të Bashkisë së Gramshit, Besjon Ajazi, përgjegjësi për kontrollin e ushqimit dhe higjienës dhe vëllait të tij, Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Ndërkohë, qeveria dhe krerët më të lartë të saj, përfshirë Edi Ramën, ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu dhe ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, e kanë kaluar në heshtje kriminale ngjarjen, duke i shpërblyer për më tepër autorët me tenderë të tjerë publikë.

Në vend që të ndërpritej kontrata me kompaninë që helmoi fëmijë, qeveria vazhdon t’i japë “Nelsa Sh.p.k”-s tenderë të rinj për furnizim me ushqime në kopshte, çerdhe dhe spitale publike. Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 2 qershor 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve të Tiranës ka shpallur fituese kompaninë “Nelsa Sh.p.k” për një kontratë në vlerën e 700 milionë lekëve. Ky vendim vjen vetëm pak javë pas ngjarjes në Gramsh dhe provon se pazaret me ushqimin e fëmijëve nuk ndalen, edhe pas rrezikimit të jetëve.

Kompanisë “Nelsa Sh.p.k” i janë dhënë 220 tenderë për furnizime ushqimore në çerdhe, kopshte, konvikte dhe spitale. Pronari real, Nexhmi Balla, i arrestuar më parë për mashtrim dhe korrupsion me tenderët e ushqimeve për burgjet, ka transferuar ligjërisht kompaninë në emër të vajzës së tij, Elsa Kamberi (Balla), duke ruajtur kontrollin mbi biznesin. Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të marrë miliona euro nga fondet publike, me bekimin e drejtorëve dhe ministrave të qeverisë “Rama” shkruan Pamfleti, përciell newsgate.al.

Pas helmimit në Gramsh, në vend që të urdhëronte hetim penal dhe ndërprerje të kontratave, Kryeministri urdhëroi Drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Manush Kullolli, të deklaronte publikisht se ushqimet e shpërndara nga “Nelsa Sh.p.k” ishin të sigurta. Madje, ai kërcënoi publikisht edhe mediat që denoncuan rastin, duke provuar edhe një herë lidhjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë me aferën.

Helmimi i fëmijëve të kopshtit në Gramsh ka ndodhur më 20 Maj dhe ngjarja është mbajtur e fshehur deri më 25 Maj, kur prinderit e fëmijëve denoncuan në rrjetet sociale. Institucionet janë vënë në levizje për të kryer analizat vetëm pas denoncimit të prinderve.  

Përgjigja e analizave doli disa dite më pas nga laboratori i ISUV në Tiranë, por AKU nuk mori asnjë masë për të ndalur zinxhirin e infektimit.

AKU nuk iu përgjigj interesimit të medias dhe publikut  për vendin e origjinës së vezëve apo masat e tjera që mund të merren për të frenuar infektimin e fëmijëve të tjerë me salmonelë.