SPANJË– Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, është arrestuar këtë të enjte (14 dhjetor) në Spanjë në kuadër të operacionit të koduar “Sant Joan”. Policia e Shtetit kishte informacione përmes burimeve të inteligjencës që Berisha fshihej në vendin iberik dhe pas njoftimit të autoriteteve atje u bë i mundur lokalizimi dhe më pas prangosja e 52-vjeçarit.
Mesohet se Lul Berisha fshihej në Spanjë me letra bullgare. Në vijim pritet të nisin procedurat për ekstradimin në drejtim të Tiranës të Berishës, i cili konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimiet të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshëmri të lartë shoqërore Lulzim Berisha. Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, njofton policia.
Në vitin 2016 arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore. Ky vendim në atë kohë erdhi pasi Gjykata e Lartë kishte refuzuar prokurorinë për dënimin me burgim të përjetshëm.
Berisha u arrestua në 2006-ën për aktivitetin kriminal të bandës së Durrësit të kryer në vitet 1998-2000 për veprat penale “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarë të kësaj bande u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda.
Megjithatë, në janar të vitit 2022 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Durrësit për të njëjtën gjë që u lirua në 2016-ën. Shkak rreth 2 vjet më parë u bë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht.
Në vitin 2020, Lulzim Berisha u shpall në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë. Për vrasjen e Lames çështja u pushua, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.