Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas sekuestrimit të barnave kontrabandë. Në reagimin e saj Ministria përgëzon prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për parandalimin e hyrjes në vendin tonë të barnave kontrabandë.
REAGIMI:
Përgëzojmë prokurorinë dhe strukturat e policisë së shtetit për punën e tyre në parandalimin e hyrjes në vendin tonë të barnave kontrabandë. Të gjitha ilaçet në farmacitë tona kanë kusht ligjor që të jenë të pajisura me pullën fiskale. Farmacitë, në respekt të qytetarëve, duhet të tregojnë kujdes në tregtimin e barnave, duke u bazuar në të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi. Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë mjaft të kujdesshëm në këtë aspekt, dhe të pranojnë vetëm barna të pajisura me pullën fiskale. MSHMS, së bashku me institucionet e varësisë dhe organet kompetente, do të vijojë të jetë mjaft e ashpër në marrjen e masave dhe vendimeve, për sa i përket veprave të tilla penale, të cilat rëndojnë tek shëndeti i qytetarëve tanë.
Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Rrëgutimi”, ku si rezultat ranë në pranga 16 shtetas dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Si rezultat i tij u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Devis Beqiri, Gentian Beqiri, Erjon Bajramaj, Dinë Thaqi, Ermal Merdani, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu u ndaluan shtetasit; Lorin Bregoniva, Almed Hoxha, Elton Qorri, Albi Dyrmishi, Florian Muçogalli, Saimir Dervishi, Admir Hoxha, Gëzim Hoxha, Artur Spaho, Tomor Mustafaj, Albert Bakaj.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta
Së fundmi kanë dalë edhe pamjet e këtij operacioni, ku janë bërë kontrolle në disa shtëpi dhe shihen se medikamentet janë hedhur kuda, ndërsa vlera totale e tyre shkon deri në 50 mijë euro.