Kontrolli te muxhahedinët, pak ditë më parë në kamp mbërriten tre maune me kompjutera

Kontrolli i policisë së Shtetit në kampin MEK në Manëz të Durrësit paraditen e kësaj të marte është shoqëruar me përplasje mes policisë dhe banorëve të kampit.

Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku para aksionit është takuar me përfaqësuesin e kampit ku dhe është rënë dakord për nisjen e kontrollit në ambientet e kampit.

Sipas burimeve situata është tensionuar në momentin që policia, e cila kishte informacion se persona brenda kampit zhvillonin aktivitet të paligjshëm kryesisht që lidhet me sulme kibernetike, kishte nisur sekuestrimin e disa kompjuterave dhe server në disa ambiente të kampit.

Mësohet gjithashtu se pak ditë para se në Manzë të zhvillohej  aksioni policor, kishin mbërritur tre maune me pajisje elektronike të teknologjisë së fundit.

Ndërkohë pas përplasjeve te banorëve me policinë, kjo e fundit përdori gazin lotsjellës. Zëdhënësi dhe përfaqësues të kampit MEK në Manëz të Durrësit pretendonin se një prej tyre është vrarë nga policia por kjo nuk konfirmohet nga autoritetet.