Ku jane turistet ? Shifrat nuk perkojne, vetem nje numer i vogel u akomoduan neper hotele dhe apartamente

Në lulëzimin e saj turistik, ku shumë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet, të pakët janë ata të cilat kanë zgjedhur të akomodohen në hotele, bujtina apo dhe apartamente. Sipas Institutit të Statistikave në muajin qershor nga 1 milionë e 7 mijë të huaj që zgjodhën vendin tonë, vetëm 17.8% u akomoduan, raporton A2CNN.

“Jemi një vend mesdhetar që duhet ta shfrytëzojmë pozicionin tonë. Por jemi edhe në mes të konkurrentëve më të mëdhenj turizmit botëror si Italia, Greqia, Spanja, Portugalia. Një mirëmendim i ofertës turistike është e rëndësishme”, shprehet Blerina Ago, eksperte e turizmit.

Megjithatë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, INSTAT raporton një rritje të akomodimeve të turistëve. Jugu mbetet destinacioni i preferuar me 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky tregues në zonat bregdetare është rritur 75%. Por të shumtë janë dhe ata turistë të cilët preferojnë të qëndrojnë në rajonin qendror.