Në Tiranë mund të flasësh lirshëm, derisa dikush të kujton se fjala e lirë ka kosto. Këtë e thotë jo veçse përvoja e përditshme e redaksive shqiptare, por edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për të Drejtat e Njeriut 2024, ku përshkruhet një tablo ku liria e medias ekziston si koncept teorik, por në praktikë profesioni po deformohet nga presioni politik, interesat e errëta ekonomike dhe vetëcensura e imponuar.
Dokumenti thekson se, ndonëse kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, “shpifja mbetet vepër penale” dhe realiteti në terren është i mbushur me presione të shumëfishta ndaj gazetarëve dhe pronarëve të mediave.
Sipas raportit, “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kërkojnë të ndikojnë median në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”. Për më tepër, DASH evidenton një fenomen shqetësues: “kishte raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias përdornin platformat e tyre për të shantazhuar biznese duke kërcënuar me mbulim negativ”.
Në këtë klimë ku politika, krimi dhe biznesi ushtrojnë presion ndaj gazetarëve, vetëcensura rezulton të jetë i vetmi mjet mbijetese. “Gazetarët shpesh ushtronin vetëcensurë për të shmangur dhunën dhe ngacmimet ose për të siguruar vendin e punës”, shënohet në raport.
Raporti sjell shembuj konkretë të presionit personal ndaj gazetarëve. “Disa gazetarë raportuan se kishin marrë komunikime kërcënuese ose ishin bërë objekt i fushatave denigruese pasi kishin raportuar për korrupsion të dyshuar ose keqbërje të qeverisë”, thuhet në dokument.
Një rast i veçantë lidhet me muajin mars, kur “Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë denoncoi publikisht kryeministrin për përdorimin e gjuhës kërcënuese ndaj një gazetari që hetonte investimet në turizëm”.
Bllokimi i informacionit dhe kontrolli politik
Një tjetër dimension i presionit ndaj medias është mbyllja graduale e aksesit në informacion publik. DASH raporton se “qasja në informacion publik vazhdoi të reduktohej, dhe gazetarët e kishin gjithnjë e më të vështirë të merrnin dokumente publike dhe përgjigje në kohë nga institucionet”.
Përveç kësaj, raporti evidenton se ndikimi politik nuk kufizohet vetëm në redaksitë mediatike. Madje, edhe në institucionet akademike “disa drejtues zgjidhen ose emërohen për shkak të lidhjeve politike”, duke penguar raportimin e lirë mbi proceset zgjedhore brenda tyre. Faktet e paraqitura nga Departamenti Amerikan i Shtetit përshkruajnë një pasqyrë të zymtë të klimës ku ka degraduar gazetaria mes kërcënimeve, shantazheve dhe pengesave për informacion./Lapsi.al