Hapja e bazës së Kuçovës nga NATO nuk ka kaluar pa vëmendje në Rusi. Edhe pse pak me vonesë, televizioni shtetëror, “Russia Today” (Televizioni i Putinit) ka bërë një artikull të gjatë, ku ka marrë në pyetje ekspertë për të analizuar hapjen e bazës. Këta ekspertë e shohin hapjen e bazës si karshillëk ndaj Rusisë, teksa shprehen se më e rrezikuar është Serbia. Madje njëri prej tyre deklaron se më vonë SHBA mund të vendosë armë bërthamore në Kuçovë.
Aleanca e Atlantikut të Veriut hapi bazën e parë ajrore në Shqipëri. Kjo është bërë e ditur nga shërbimi për shtyp i NATO-s. Fusha ajrore ndodhet në qytetin e Kuçovës, 80 km nga Tirana.
Investimi total në pajisje për bazën ajrore ishte afërsisht 50 milionë euro. Aeroporti është projekti më i madh i NATO-s në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kur Tirana ishte aleate e BRSS, fusha ajrore u përdor për stërvitje kundër NATO-s. Modernizimi i saj filloi në vitin 2019. Ai konsistonte në riparimin e kullës së kontrollit, pistave, hangarëve dhe objekteve të magazinimit.
Siç u shpreh kryeministri shqiptar, Edi Rama në hapjen e aeroportit, Republika e Shqipërisë tani jeton “në një epokë tjetër” dhe sheh në “anën tjetër”.