Misteri i mbytjes se jahtit ne Siçili, si u fundos anija ne nje minute

Një ngjarje rëndë u shënua në brigjet italiane, pasi një jaht luksoz u mbyt duke marrë me vete shumë persona.

‘Bayesian’, një super-jaht 56 ​​metra, është regjistruar në emër të kompanisë Revtom, drejtoreshë e së cilës është Angela Bacares, gruaja e Mike Lynch, i cili është mes të zhdukurve. Jahti u largua nga Roterdami, përshkoi Normandinë dhe Portugalinë, më pas kaloi Mesdheun me synimin e Ishujve Eolian. Pas disa ndalesave – Lipari, Stromboli, Milazzo – ai u ankorua në Porticello.

Sipas asaj që është publikuar, turistët kanë qenë duke fjetur në kabinat e tyre, kur rrjedha e ujit ka goditur jahtin, rreth orës 5 të mëngjesit të datës 19 gusht. Situata u përshkallëzua në pak minuta.

Në një video të publikuar në mediat italiane, anija mbytet brenda një minute. Por ajo që bie në sy është se direku i varkës me vela, 75 metra i lartë, nuk është thyer. Shpërthimet e forta të erës e shtynë anijen me vela të përkulej në njërën anë, më pas të kthehej drejt dhe në fund të fundosej, duke shtuar akoma dhe më shumë dyshimet.

Mes 22 personave që ndodheshin në bord në momentin e tragjedisë, disa arritën të hipnin në kuvertë, të tjerë u gjendën në ujë brenda një kohe shumë të shkurtër. Megjithatë, shumë prej tyre, sipas të gjitha gjasave, u bllokuan brenda jahtit, në kabina, ndërsa ai u fundos.

Lajmi kryesor i medieve ndërkombëtare ishte zhdukja nën rrënojat e anijes e një miliarderi britanik.

Miliarderi Mike Lynch, i njohur edhe si ‘Bill Gates britanik’, ishte së bashku me familjen dhe disa miq në superjaht. Sipas Daily Mail, stuhia ishte e çuditshme, aq sa kapiteni i anijes tha se ata nuk e panë fare se po vinte. Jo vetëm kaq, por sipas ekspertëve, mbytja e jahtit luksoz ishte diçka e paprecedentë.

Gjashtë persona janë zhdukur nga mbytja e superjahtit, mes tyre miliarderi Mike Lynch, e bija e tij 18-vjeçare dhe Jonathan Bloomer, bosi i një prej bankave më të njohura në bota ‘Morgan Stanley’. Ky i fundit është zhdukur bashkë me të shoqen. Po ashtu i zhdukur është edhe një avokat i njohur.

Mendohet se ata ishin në jaht për të festuar faktin se Mike Lynch ishte liruar nga akuzat për mashtrim. Pas një viti arresti shtëpiak, Lynch, baba i dy fëmijëve, pretendonte se po jetonte një jetë të dytë. Por gjithçka u kthye në makth kur jahti u godit nga një fenomen jashtëzakonisht i rrallë natyror në formën e tornados.

Por në një kthesë të jashtëzakonshme të ngjarjeve, mbytja e jahtit erdhi pasi një partner në biznes i miliarderit britanik humbi jetën në mënyrë misterioze. Stephen Chamberlain u plagos për vdekje nga një makinë teksa po vraponte të shtunën në mëngjes. Chamberlain, bashkë me Lynch, kishin arritur të fitonin gjyqin kundër tyre për mashtrim. Policia tha se nuk ka asgjë të dyshimtë për rastin në fjalë.

Ekipet e shpëtimit thonë se operacioni i kërkimit është i komplikuar. Jahti gjendet 50 metra poshtë sipërfaqes së ujit dhe praktikisht çdo gjë duket e padëmtuar. Por janë pikërisht mobiljet që po pengojnë përpjekjet për të hyrë brenda.

Ndërkohë, 15 persona janë shpëtuar, mes tyre edhe gruaja e miliarderit britanik. /Pamfleti