Tregimet e moçme shqiptare janë përkthyer në italisht. Eugenio Scalabrino dhe i paharruari Amik Kasaruho, kanë punuar për vite që Argo Edizioni të botojë një vepër dinjitoze edhe për lexuesin italian.
Ka qenë instituti italian i kulturës që në një mbrëmje letrare ka riprezantuar një nga veprat më të mira të letërsisë shqipe, këtë herë në gjuhën italiane.
“Mund të heqim paralele mes letërsisë italiane, përmend këtu Calvinon, mes letërsisë antike greke, veprave homerike, me këtëvepër të Mitrush Kutelit. I them këto pasi mendoj se ka elementë artistikë të letërsisë botërore te Kuteli dhe këto e bëjnë atë të jetë një autor vepra e të cilit i ka pikëtakime me letërsinë botërore, në këtë rast edhe me letërsinë italiane”, u shpreh Mimoza Hysa.
“Flasim sot për një nga autorët më të njohur shqiptarë, një nga autorët më të mirë shqiptar. Kuteli është shumë dimensional, aq sa ka nevojë për një monografi për secilin nga dimensionet që ai mbart. Unë vetë jam i përfshirë e i influencuar nga letërsia e Kutelit. Sepse mendoj që pa Kutelin letërsisë shqipe ne i heqim një tullë, një material të rëndësishëm katedrales shqiptare, që në këtë rast është letërsia shqipe. Fati i keq i Kutelit është që ka operuar në gjuhën shqipe. Ai nuk ngjason vetëm me Calvinon, por edhe me Markez, siç thotë Aurel Plasari. Sepse e bën këtë realizmi magjik që ka letërsia jonë”, shtoi gazetari Enkel Demi.
“Unë dua të ndalem në dy stacione të rëndësishme të krijimtarisë së Kuteli. E para është që ky autor ka operuar në një terren të izoluar. Ai nuk hyn në kategorinë e shkrimtarëve të fillimit të shekullit të shkuar. E dyta është që shkruan, o rimerr ose bazohet në mitologjinë e një populli dhe kjo kërkon aftësi unike. Sepse ai jo thjesht ka mbledhur mitet, apo i ka rrëfyer. Kuteli ka rikrijuar. Mitologjia është e rëndë e vështirë për t’u mbajtur. Duket e lehtë, por të lehtësosh peshën e miteve si bën Kuteli, kjo është meritë e madhe”, tha Diana Kastrati.
Sa i përket të birit që këto vite i ka dedikuar jetën botimit sa më të denjë të veprave të Kutelit, botimi i kësaj monografie është një nder që e vë autorin shqiptar përballë letërsisë botërore.
Ilustrimet e përdorura për këtë botim në gjuhën italiane janë ato të profesorit dhe artistit Gazmend Leka./A2CNN