Organizatat e medias ngrene shqetesime per shkurtimet ne TV abcnews

Organizatat e medias reaguan të premten mbi shkurtimet nga puna të kameramanëve dhe ndryshimin e kontratave të korrespondentëve të televizionit ‘ABC News;. Duke referuar ankesat nga gazetarët, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi ‘shqetësuese’ situatën dhe vuri në dukje se ndryshimet në kontratë pa paralajmërim cenojnë sigurinë e punës së gazetarëve dhe operatorëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin serioz dhe indinjatën e thellë për mënyrën e trajtimit të punonjësve nga televizioni ABC News, pas raportimeve të shumta nga gazetarë dhe operatorë në të gjithë vendin për ndryshime të njëanshme dhe të paparalajmëruara në kontratat e tyre të punës”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga AGSH.

BIRN mësoi se 5 kameramanë në rrethet Shkodër, Librazhd, Kukës, Fier dhe Gjirokastër, me mbi dy dekada në punë ishin shkarkuar nga detyra. Ndërkohë po pesë gazetarë kanë humbur kontratën e punësimit dhe u është bërë me dije se do të punojnë me honorarë.

AGSH vuri në dukje në qëndrimin e saj se ndryshimi i kontratës pa marrëveshje është një hap pas në standardet e punësimit dhe se dobësonte mbrojtjen sociale të gazetarëve, përfshi një sërë të drejtash si pushimet, sigurimet shoqërore e shkarkimet apo ndërprerjen e punës pa arsye.

Sipas organizatës edhe largimi nga puna i disa operatorëve nga i njëjti televizion është bërë në shkelje, pa transparencë dhe pa ofruar mundësi alternative pune. “AGSH do të kërkojë sqarim nga drejtuesit e ABC News për këtë vendimmarrje të njëanshme dhe nxit Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe institucionet përkatëse që të hetojnë ligjshmërinë e këtyre veprimeve”, thuhet në deklaratë, ku vihet në dukje se klima ndaj medias dhe punonjësve të saj është gjithnjë e më e vështirë.

Ndërkohë më herët të enjten Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias shpërndanë një reagim të gazetares Anila Prifti, e cila po ashtu shprehte shqetësimin për ndryshimin e kontratave dhe theksonte faktin se kjo shkaktonte pasiguri në punën e gazetarëve.

“U hoqi pagesën mujore dhe i futi në listën e “bashkëpunëtorëve të jashtëm” një term që në realitet do të thotë: punë pa siguri, pa kontratë, pa të ardhme”, shkroi Prifti në qëndrimin e saj.

Prifti, e cila ka kaluar një kohë të gjatë në karrierë si drejtuese dhe redaktore, shprehet se kjo është një shenjë e vijimit të agonisë në të cilën është gazetaria.

“Sepse sot lajmi nuk pritet, nuk kërkohet, nuk vjen më nga vendi i ngjarjes; lajmi prodhohet në redaksi, nga njerëz që nuk pyesin, por lexojnë”, shkroi ajo, ndërsa tha se lëvizja ishte vijim i cënimit të mëtejshëm të lirisë së gazetarëve.

Drejtuesi i ABC News Sokol Balla nuk qe i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Siguria në punë e gazetarëve mbetet një nga shqetësimet kryesore në vend dhe një prej faktorëve më me ndikim në lirinë e shprehjes. Një studim i BIRN Albania dhe SCiDEV mbi lirinë e medias në Shqipëri i publikuar në shkurt të këtij viti vuri në dukje se “Mungesa e kontratave të punës, pagat e ulëta, pagesat informale dhe pasiguria në vendin e punës mbeten sfida kryesore, duke i lënë profesionistët e medias të pambrojtur ndaj presioneve të jashtme”.